Nëna e pengut: Im vëlla na kishte kërcënuar me jetë
Një ditë pas pengmarrjes së pazakontë të ndodhur në Mamurras, familjarët e Ndoc Ndojit, që u rrëmbye nga daja i tij, tregojnë detajet e konfliktit. Nëna e pengut thotë se “dy djemtë e mi, së bashku me Mark Gjinin, i kanë blerë katër dynymë tokë Sinan Pajës. Dy dynymë kanë qenë të Markut dhe dy të djemve të mi, të cilët, pasi kanë blerë tokën, kanë shkuar në Greqi. Për tre vite toka është shfrytëzuar nga Marku me të padrejtë. Dy vite më parë, kur u kthyen djemtë nga Greqia e kemi punuar ne tokën. Në kohën që i kërkuam Markut të na jepte letrat e tokës, nisën konfliktet. Ai na kërcënonte se do vriste më të mirin e familjes, nëse pretendonim të merrnim tokën”. Nëna tregon më tej se si janë ballafaquar disa herë në polici me vëllain e saj dhe në fund u ishte këshilluar t’i drejtoheshin gjykatës për të marrë zgjidhje ligjore. “Marku nuk donte ta zgjidhnim me gjykatë këtë problem, por të linim tokën që kishim blerë dhe të iknim sërish në Pukë”, tregon ajo. Për rrëmbimin e të birit nga vëllai i saj, Prena Ndoji është njoftuar nga policia. Ajo falënderon forcat e policisë që arritën t’ia shpëtonin djalin, ndërsa kërkon drejtësi dhe dënim maksimal të Mark Gjinit, pavarësisht lidhjes së gjakut. Ndërsa Lindita, bashkëshortja e pengut, tregon se Marku disa herë e ka kërcënuar me armë. “Më ka kërcënuar se do të më vriste bashkë me fëmijët dhe se duhej të liroja shtëpinë, pasi, sipas pretendimeve të tij, është në tokën e tij. Ne e kemi blerë atë tokë dhe i kemi kërkuar letrat, të cilat i mori pas blerjes së përbashkët”, rrëfen ajo, duke shtuar se ngjarjen e dy ditëve më parë e ka parë një bari, i cili ka njoftuar policinë që pas disa orë negociatash ka bërë të mundur lirimin e pengut.
#