Shqipëri-Kosovë, pranga tre trafikantëve të drogës
Një operacion i përbashkët për trafik droge është zhvilluar ditën e djeshme nga policia shqiptare, në bashkëpunim me EULEX-in në Kosovë. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar tre persona, mes të cilëve dy shtetas nga Kosova dhe një tjetër nga Tirana. Burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bënë të ditur se Gëzim Gjika, 40 vjeç, është ndaluar me urdhër të prokurorisë, pasi dyshohet se është marrë me trafik droge në Kosovë, bashkë me dy personat e tjerë të arrestuar në Kosovë. Sipas të dhënave, bëhet fjalë për një sasi droge të kapur që në nëntor të vitit 2009. Pikërisht në atë kohë policia bllokoi një sasi droge në autostradën Tiranë-Durrës, por nuk mundi të vendosë në pranga poseduesit e saj. Pas më shumë se gjashtë muajsh hetime u identifikuan poseduesit, ku një prej tyre mendohet se është edhe shqiptari Gjika. Ai është kapur në banesën e tij në fshatin Domje të Tiranës, por gjatë kontrollit në banesë nuk i është gjetur asgjë e dyshimtë. Policia shqiptare tha se gjatë ditës kishte shoqëruar edhe një person tjetër, por ai rezulton se nuk kishte lidhje me trafikun e drogës. Nga ana tjetër, policia e Kosovës ka vënë në pranga dy persona nga Prizreni. Atyre mësohet se u janë gjetur armë dhe para që mendohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal. Policia e Kosovës nuk ka publikuar emrat e të arrestuarve, por ata mendohet se ishin porositësit e mallit në Shqipëri. Nga të dhënat e grupit hetimor mësohet se droga blihej në Shqipëri e trafikohej në Kosovë. Më pas, dy personat e tjerë merreshin me trafikimin e saj nëpërmjet vendeve të Ballkanit, me qëllim dërgimin e saj në vendet e BE-së. Policia e Shtetit shtoi se ende po punon me rastin e këtij trafiku droge, ku mendohet se janë të përfshirë edhe persona të tjerë. Gjithashtu, pritet që dy shtetet të shkëmbejnë informacionin mes tyre, me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj vepre penale.
#