Vodhi lekët e klientit në lokal, arrestohet
Një i dënuar me shtatë muaj burg është arrestuar nga uniformat blu të kryeqytetit, pasi kërkohej që prej një muaji. Shërbimet e Komisariatit Nr.3 kanë vënë në pranga Marsel Salin, 17 vjeç, sepse Gjykata e Tiranës, me vendim të datës 09 prill 2010, e ka dënuar me 7 muaj burg për veprën penale të vjedhjes. Sipas dosjes penale, në datë 22 korrik të një viti më parë, rreth orës 00:30, ai duke u endur nëpër rrugët e qytetit ka kaluar te lokali “Bar-Roza”, i cili ndodhet prapa Muzeut Kombëtar dhe në verandën e lokalit ka parë se një klient ka lënë mbi tavolinë pagesën dhe është larguar. Menjëherë Salin është futur në lokal, ka vajtur te tavolina ku ishin të hollat, i ka marrë ato dhe është larguar me vrap. Kamerieri Julian Qazolli e ka parë të pandehurin, i është vënë në ndjekje, ka lajmëruar patrullën dhe kjo e fundit ka bërë kapjen e tij dhe sekuestrimin e lekëve të vjedhura. Fillimisht ai u gjykua në gjendje të lirë dhe më pas u dënua me shtatë muaj burg.
#