E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilanc i tmerrshëm në rrugë, aksidentet sjellin 12 të plagosur

Tiranë Mes të dëmtuarve shënohen katër fëmijë dhe disa maqedonas

Dymbëdhjetë të plagosur ka qenë bilanci i tre aksidenteve rrugore të ndodhura brenda pak orësh në Skrapar, Peqin dhe Vorë. Mes të lënduarve janë katër fëmijë dhe disa shtetas maqedonas, që udhëtonin për në Tiranë. Kështu, në fshatin Bogovë, që ndodhet në rrugën nacionale Berat-Skrapar, një vajzë shtatëvjeçare është aksidentuar nga një mjet tip “Skodë”. Vogëlushja ka tentuar të kalojë anën tjetër të rrugës kur është përplasur nga automjeti, që udhëtonte drejt qytetit të Beratit. Kanë qenë kalimtarët e rastit të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë shëndetësore fëmijës, duke e dërguar urgjentisht drejt spitalit të Beratit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, një familje është aksidentuar rreth orës 06:30 të mëngjesit të djeshëm, në aksin rrugor Elbasan–Peqin, te kryqëzimi i Komunës Përparim. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se si pasojë e humbjes së kontrollit, automjeti tip “Nisan-Almera”, veturë, me targa NEO2148, me drejtues G.O., 34 vjeç, banues në fshatin çermë të Rrethit të Lushnjës, ka dalë nga rruga. Për pasojë është dëmtuar drejtuesi i mjetit dhe bashkëshortja e tij L.O., 33 vjeçe, si dhe tre fëmijët e tyre, A.O. 11 vjeçe, M.O. 8 vjeçe dhe A.O. 7 vjeçe. Të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, mesditën e djeshme dy autobusë ku udhëtonin shtetas maqedonas janë përplasur me njëri-tjetrin në rrugën nacionale Fushë-Krujë - Vorë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se njëri nga autobusët ka frenuar menjëherë për të shmangur një aksident, por është përplasur me autobusin tjetër që i vinte nga pas. Për pasojë, pesë pasagjerë dhe drejtuesi i autobusit janë plagosur dhe janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku po marrin trajtim mjekësor.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›