Kukës, ndalet kërkimi për vajzën e zhdukur
Ende mister fati i Bleona Matës, vajzës 6-vjeçare nga fshati Zapod i Kukësit. Pas gati një javë kërkimesh pa sukses, policia ka tërhequr disa forca nga bjeshkët pranë fshatit, ndërkohë që drejtuesit e lartë të Policisë së Kukësit kanë vazhduar të mbajnë kontakte me homologët e tyre kosovarë të zonë së Dragashit. Fotografia e vogëlushes 6-vjeçare është shpërndarë në të gjitha komisariatet e policisë në Shqipëri, si dhe në Dragash dhe disa qendra të tjera të Kosovës.
Ndërkohë mësohet se është kërkuar ndihma e medias lokale, kryesisht televizioneve, për të bërë të mundur publikimin e fotos së saj. Në këtë mënyrë shpresohet të merren sa më shumë informacione dhe detaje për vendndodhjen e mundshme të së miturës.
Ndërkohë, edhe pse janë shtuar dyshimet për një rrëmbim të mundshëm të vogëlushes, Policia e Kukësit nuk ka mundur të ushtrojë kontrolle nëpër shtëpitë e zonës, pasi për këtë nevojitet një autorizim i posaçëm. Sipas drejtuesve të policisë lokale, autorizimi dhe kontrolli mund të ushtrohet vetëm duke pasur fakte dhe dyshime të qarta për persona të caktuar.
Tashmë uniformat blu po e ngushtojnë gjithmonë e më shumë pistën e hetimeve, duke mëshuar më tepër në atë të rrëmbimit të personit.
Grupi hetimor i ngritur për këtë çështje ka rimarrë në pyetje edhe pesë vajzat e rritura që shoqëronin vogëlushen pasditen e së shtunës. Mes tyre ndodhet edhe halla e Bleonës, e cila sërish ka mohuar të ketë lidhje me zhdukjen e mbesës së saj. Identiteti i saj mbahet sekret për arsye hetimi, por mësohet se ajo ka deklaruar sërish të njëjtin version të ngjarjes. Përpara disa ditësh halla e vajzës së zhdukur deklaroi për gazetën “Shqip” se “mbesa më tha se kishte uri. Ia hapa qesen e bukës që kishim marrë me vete, i dhashë të hante dhe të më priste aty sa të mblidhja bagëtitë. Kur jam kthyer gjeta vetëm bukën me pak djathë dhe turshi të shtruar në gazetë dhe xhupin e vajzës. Asgjë tjetër nuk gjeta. E thërrita, por nuk m’u përgjigj askund. Pyeta fëmijët e tjerë diku më përtej nja 200-300 metra, por nuk e kishin parë”. Pasi janë marrë në pyetje për tri ditë rresht, vajzat janë lënë sërish të lira. Ato janë pyetur për detaje të tjera që lidhen me pasditen e së shtunës së kaluar, kur ndodhi zhdukja misterioze e vogëlushes 6-vjeçare.
Ndërkohë, babai i vajzës së zhdukur ka mohuar së fundi se ka pasur telefonata kërcënuese. Ndryshe nga sa kishte deklaruar dy ditë më parë për policinë, babai i vogëlushes 6-vjeçare mohon të ketë marrë dy telefonata kërcënuese nga numra privatë. Zamit Mata është kontaktuar sërish nga drejtues të policisë lokale, të cilëve u ka deklaruar se “nuk është e vërtetë që kam marrë telefonata kërcënuese”.
Tashmë tabulatet telefonikë të Matës po verifikohen dhe ende nuk janë zbardhur të dhënat për të vërtetuar kërcënimet e mundshme që mund të kenë mbërritur në celularin e tij.
Bleona Mata u zhduk mbrëmjen e së shtunës së kaluar. Ajo kishte dalë për të kullotur lopët bashkë me hallën dhe disa vajza të tjera, por nuk u kthye më në shtëpi.