E Diel, 1 Nëntor 2026

Apokalips 2005

14/03/2005  

Beteja e Falluxhasë, spiunët, heroizmi i marinsave: Hollywood dhe yjet e tij rikthehen tek lufta. Dhe Lindja e Mesme kthehet në një set gjigand kinematografik

Hollywood ka vendosur të braktisë atë që ka qenë politika e derisotme kinematografike, domethënë pritjen deri sa luftërat të përfundonin: ndodhi me Vietnamin (Apocalypse now doli në 1979, katër vjet pasi SHBA kishin lënë atë front lufte), por edhe në luftën e parë të Gjirit: “Kurajo e së vërtetës” dhe “Tre mbretër” u xhiruan respektivisht në 1996 dhe 1999

Jerry Haleva, 58 vjeç, një lobist i panjohur republikan, për disa dhjetëra vjet fitonte paratë duke përfituar nga flokët e zinj dhe mustaqet, si sozi e Sadam Huseinit. Jepte shfaqje në klubet e natës duke kënduar “Bomb-bomb-bomb, bomb-bomb Irak”, duke imituar këngën proverbiale të Beach Boys “Ba-ba-ba Barbara Ann”, por momenti më kulmor i karrierës së tij, veç reklamës për firmën Nintendo, ishte kinematografik: Filmi “Lebovski i madh” i vëllezërve Coen. Më pas, një ditë shpërtheu lufta në Irak dhe atje nisën të bien në luftë ushtarët amerikanë. Rezultati: askush nuk i konsideronte më argëtuese imitimet e tij. Sot, Haleva, që në një tentativë ekstreme transformimi kishte hequr mustaqet dhe kishte nisur të shkruante një autobiografi, ka rinisur të shfaqet në sheshxhirimet e filmave: ka ende nevojë për një që i ngjan Sadam Huseinit.

Kjo është në fakt, lajmi më i ri Made in Hollywood: Iraku nuk është më një argument tabu dhe producentët po rikapin fillin e luftës së lavdishme (nuk ka dëshmi më të mirë se John Wayne), të cilin e kishin prerë atentatet e 11 shtatorit: “Askush nuk dëshiron të shohë në ekran gjëra shumë të përafërta me realitetin e dhimbshëm që po jeton”, ishte atëherë verdikti i paapeluar.

Në të vërtetë, ky ndryshim drastik i kursit, nuk varet nga arsye filozofike apo sociale, por ekonomike: Fahrenheit 9/11, dokumentari me autor Michael Moore, jo vetëm fitoi Oscar, por pati edhe një sukses të paparashikuar (119 milionë dollarë në SHBA dhe 103 milionë dollarë të tjerë në botë, duke patur një buxhet 6 milionë dollarë). Madje, edhe një dokumentar të cilit i është bërë më pak reklamë, Control Room (mbi Al Jazeeran, kanalin televiziv të armikut), ndonëse ka patur vetëm 2.6 milionë dollarë të ardhura, ka shitur më shumë se 100 mijë DVD. Ja pra, përse lufta është kthyer krejt papritur në një argument të drejtë dhe të nxehtë.

Filmi i parë që pritet të mbërrijë, është një tjetër dokumentar, Gunner Palace, i prezantuar në festivalin e Torontos. Ai rrëfen aventurën paradoksale të kompanisë së 400 artilerëve, të quajtur Gunners (zgjedhur nga revista Time, në bllok, si personazhi i vitit), të vendosur në Az Azimia, rezidenca faraonike në zonën e nxehtë Adamia e Udai Husein, djalit playboy të Sadamit (i quajtur Pallati i qejfit), për katër muaj të tërë, pasi Presidenti George Bush e kish konsideruar të përfunduar çështjen Irak dhe luftën të fituar. Gunner Palace ka autorë gjermanë, ndonëse një prej regjisorëve është nga Havai, Michael Tucker (tjetra është e shoqja, Petra Eppertein, ish studente arkitekture në Dresden).

Veç skenave ku ushtarët bëjnë banjë në pishinë, ndërkohë që rreth e rrotull është ferr i vërtetë, pak a shumë si skenat e sërfit tek Apcalypse Now, ka edhe fantazma të tjera të Vietnamit: babai i Tucker u nis për në front në përvjetorin e parë të lindjes së tij. Në gjashtë muajt e xhirimit të filmit, u vranë gjashtë ushtarë të batalionit. Filmi ishte ndaluar për shkak të fjalëve të pista vend e pa vend, por më pas u lejua pas argumentimit të autorëve që fëmijët që e shohin sot, mund të jenë ushtarë nesër (vendim i rrallë, që në të kaluarën i ishte mohuar si Fahrenheit 9/11 ashtu edhe Shpëtoni ushtarin Rajan).

Ndërkohë që regjisori Eugene Jarecky sapo ka fituar çmimin e jurisë në festivalin Sundance me dokumentarin “Përse luftojmë” (i inspiruar, ironikisht, nga titulli i filmave propagandistikë të Frank Capras gjatë Luftës së Dytë Botërore), “Bagdad Rap”, i spanjollit Arturo Cisneros mezi ka mundur të gjejë një distributor amerikan (rap është kolona zanore e pjesës më të madhe të dokumentarëve, duke patur parasysh që ushtarët amerikanë e përdornin sikur të ishte një armë). Dhe këtij apeli i mungon aktori Sean Penn, i cili ende nuk ka vendosur çfarë të bëjë me materialin që ka xhiruar personalisht gjatë vizitës së tij në Irak.

Hollywood ka vendosur të braktisë atë që ka qenë politika e derisotme kinematografike, domethënë pritjen deri sa lufëtrat të përfundonin: ndodhi me Vietnamin (Apocalypse now doli në 1979, katër vjet pasi SHBA kishin lënë atë front lufte), por edhe në luftën e parë të Gjirit: “Kurajo e së vërtetës” dhe “Tre mbretër” u xhiruan respektivisht në 1996 dhe 1999.

Aktualisht po xhirohet Jarhead, ngjarjet e të cilit ndodhin në atë luftë të 14 viteve më parë (Regjisori është Sam Mendes, me aktorë Jamie Foxx e Jale Gyllenhaal). Ndërkohë, janë befasues dy titujt e tjerë. Producenti Michael Schamberg ka blerë të drejtat e librit “Lavdi jo e vërtetë: beteja për Falluxhanë”, përpara se ky të botohet. Libri është kronika më e fundit e sulmit të marinsave në qytet, në dhjetor 2004. Autori, Bing West, ndihmës i Sekretarit të Mbrojtjes në kohën e Presidentit Regan, po e transformon në një skenar së bashku me të birin, Ouen, i cili ka qenë me marinsat në Irak. Harrison Ford, është kandiduar për rolin e protagonistit, gjeneral Jim Mattis.

George Clooney ka shtuar 15 kile në peshë (por ka refuzuar që të qethet zero, nga frika se mos nuk i dilnin më flokët kurrë) për të interpretuar në filmin Syriana Robert Baerin, ish agjentin e CIA që ka shkruar librin “Nuk shoh të keqe”, ku dokumentohet se si Amerika nënvlerësoi kërcënimet terroriste përpara 11 shtatorit (është edhe Matt Damon, ndërkohë që regjisor është Stephen Gaghan, skenarist i Traffic).

E ngjashme është edhe tema e filmit “Kundër të gjithë armiqve”, në të cilin Richard Clarke, ish këshilltar i antiterrorizmit, ka akuzuar Bushin se kishte larguar vëmendjen nga Al Qaeda. Libri ndalet tek sulmi kundër kullave binjake, ndërsa filmi, ende në fazë fillestare, shkon deri në komisionin e posaçëm që u ngrit në lidhe me ngjarjen, ku dëshmia e vetë Clarke bëri shumë bujë. Dhe së fundi ka vend edhe për komedinë, falë Roberto Beningit, që është regjisor dhe aktor në filmin Tigri, ku luan Attilio de Giovannin, poet e pacifist që përfundon për shkak të dashurisë në Irak.

N.A.T.O, POPSTARI KAMIKAZ

Fytyrë e mbuluar dhe rrip i mbushur me eksplozivë: kështu prezantohet Nato, premtimi i ri i Popit rus, përpara fansave të shfrenuar. Adoleshentja me moshë dhe identitet misterioz, luan me terrorin në veshjet prej kamikazeje, ndërkohë që ushtarë të armatosur me kallashnikovë “qëllojnë” mbi publikun e koncerteve. Ndërkohë, në ekranet gjigantë prapa saj, shoqëruar nga këngë dashurie në arabisht, shfaqen filmime vdekjeje në Irak, sulmesh vetëvrasës dhe bombash, së bashku me videokasetat e Al Kaedas.

Ylli që po lind, është një krijesë e producentit shumë polemizues Shapovalov, i cili dy vjet më parë futi në botën e këngës dy lesbiket Tatu. Qeverisë ruse, e cila e ka çensuruar duke e akuzuar se përhap dhunë, ai i përgjigjet: “Nuk jam as pro as kundër terrorizmit, por kundër vdekjes. Nëse njerëzit kanë frikë nga një grua me shami, kjo do të thotë që kanë probleme. Unë ofroj një lloj të ri muzike”.

Ndërsa nga NATO, ajo e vërteta, komentojnë: “Emri i pop starit? Një shaka e keqe. E kemi sensin e humorit, por kjo nuk është një gjetje argëtuese: ajo nuk mund të përdorë logon Nato, kjo edhe pse mbi emrin ka të drejta autori. Kushdo që ka dëshirë të quhet Nato, është i lirë ta bëjë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›