E Hënë, 2 Nëntor 2026

Identifikimi anijeve, tani 45 milje larg bregut

14/03/2005  Projekt në kuadrin e masave të sigurisë në port

DURRËS - Në kuadër të përmbushjes së standarteve për sigurinë portuale, në vendin tonë, do të ndërtohen së shpejti disa stacione për sistemin automatik të identifikimit të anijeve në ujrat e Jonit dhe Adriatikut. Aktualisht, nga Kapiteneria e Përgjithshme e Porteve me qendër në Durrës, nuk bëhet e ditur se ku dhe kur do të ndërtohen sistemi bregdetar i automatizimit, duke theksuar se një çështje e tillë i përket Ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacionit. Sipas burimeve jozyrtare të Kapitenerisë së Portit të Durrësit, mësohet se stacione të tilla mund të ngrihen në Durrës, Vlorë dhe Sarandë. Një kërkesë e tillë e IMO-s, ku vendi ynë është anëtarësuar që në vitin 1994, ka qëllim më vete kontrollin e plotë të anijeve në lundrim, të cilët kanë kodin e thirrjes dhe të gjitha të dhënat e tjera të regjistruara. Nisur nga detyrimet e përcaktura nga kodi ISPS, të gjitha anijet dhe mjetet lundruese mbi 500 ton, do të duhet të paisen me sistem automatik dhe në varësi të kritereve të përcaktuara, mësohet se ky proces do të përfundojë deri në fund të vitit 2006. Nëse anijet e klasifikuara për të plotësuar detyrimet nuk e kanë të instaluar sistemin sipas rregullores së ISPS-së, atëherë, ato do të cilësohen anije të pasigurta dhe nuk do të kenë asnjë mundësi të dalin në det. Sipas kapitenerisë së portit të Durrësit, të gjitha portet e kanë vendosur tashmë sistemin automatik të identifikimit, madje edhe Mali i Zi, ndërkohë që, edhe në Shqipëri kanë përfunduar disa marrëveshje në këtë drejtim. Kapiteni i portit, Muharrem Trupja, ka thënë se, së bashku me zëvendëskapitenin e përgjithshëm, Hamdi Domi dhe dy inspektorë, kanë parë nga afër sistemin bregdetar të Tivarit. Sipas Trupes, stacionet që punojnë me sistem radari, kanë një dhomë ku janë vendosur monitorët, të cilët shërbejnë për të nxjerrë të gjitha të dhënat e një anije që gjendet në lundrim në një zonë deri në 45 milje. Kjo, sipas tij, favorizon sistemin e kontrollit të trafikimit të anijeve, pasqyron të dhëna të sakta për vendndodhjen, shpejtësinë e lundrimit, mallin, kapacitetin, ekuipazhin, destinacionin dhe shumë elementë, duke e bërë plotësisht të identifikuar, ndërkohë që me ndërtimin e stacionit, i jepet fund mundësisë së akteve terroriste dhe humbjes së anijeve në lundrim, për shkaqe të ndryshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›