E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendosja e TVSH, do të rrisë çmimin e apartamenteve edhe në Elbasan

14/03/2005  Flet kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë, Veli Kazazi,

Veli Kazazi, kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë në Elbasan, përshëndet ritmin e lartë të ndërtimeve në këtë qytet, por në një intervistë për gazetën “Metropol”, ai paralajëmron edhe rritjen e çmimeve pas fillmit të aplikimit të TVSH në ndërtime. Për Kazazin, miratimi i qendrës së qytetit, do të ndryshoj pamjen e tij dhe do e shndërrojë një qytet të lakmuar.

Çfarë vështirësish hasin firmat e ndërtimit të pallateve?

Kur firmat e ndërtimit të Tiranës e kanë problemin me bashkinë, ne kemi një problem tjetër, mjaft shqetësues, siç është rënia e fuqisë blerëse dhe gjendja ekonomike e familjeve të qytetit. Janë gjithsej 65 firma ndërtimi që veprojnë në Elbasan dhe shumica prej tyre janë përfshirë edhe në ndërtimim e objekteve të larta të banimit. Elbasani është e vërtetë që ka një rritje të popullsisë, por ka edhe një emigrim drejt kryeqytetit apo bregdetit, duke zgjidhur në këtë mënyrë edhe strehimin. Fuqia blerëse është ajo që nxit investitorin të vazhdojë në këtë rrugë, pasi në të kundërt konkurrenca të flakë, duke sjellë edhe dështim. Nëse bankat nuk do të fillojnë të aplikojnë kredi afatgjata për shtëpi, atëherë biznesi i ndërtimit do të hasë vështirësi dhe nuk është çudi që të kemi dhe falimente.

Sa do të ndikojë aplikimi i TVSH së objektit?

Aplikimi i kësaj takse në 2006 për ndërtimin, ka shqetësuar jo pak ndërtuesit. Fillimisht, biznesi kërkon sqarimin e aplikimit të kësaj takse, e cila duhet të jetë vetëm për objektet që fillojnë rishtazi në 2006 dhe jo të ketë efekt paraveprues. Investitorët nuk e kanë llogaritur në kosto edhe këtë taksë, e cila do të sjellë jo pak defiçit për ta. Ne kërkojmë nga Ministria e Rregullimit të Territorit apo edhe qeveria të përcaktohet aplikimi i kësaj takse për vitin e ardhshëm për të evituar kështu edhe një kolaps të shumicës prej firmave të ndërtimit.

A do të ndrsyhojë çmimi i një apartamenti?

Me aplikimin e TVSH për ndërtimin, do të ketë një lëvizje çmimi, i cili i atribuohet një kostoje tjetër të pallogaritur gjatë viteve të fundit. Investitori i një ndërtese të lartë duhet të mbështetet ekonomikisht mirë për të suportuar përfundimin e një objekti dhe nxjerrjen në shitje të tij. Nëse nuk do të ketë ndryshim për aplikimin e TVSH, atëherë do të ketë rritje të çmimit të apartamenteve në tregun elbasanas.

Miratimi i qendrës së qytetit do të mundësojë, sipas jush, nërtimin e objekteve të tjera të larta?

Miratimi i qendrës së qytetit ka hapur edhe një sinjal për vazhdimin e këtyre ndërtimeve shumëkatëshe, të cilat gjithashtu kërkojnë një investitor të fuqishëm. Këshilla për të gjithë biznesmenët që ndërmarrin investime të tilla në fushën e strehimit të mbështeten fuqishëm në një kapital fillestar, pasi vështirësisht do të arrijnë në finish. Jam i bindur se ndërtimet që do të bëhen në qendër jo vetëm do t’i japin një pamje tjetër Elbasanit, por do të ta bëjnë atë një ndër qytetet e lakmuara gjithmonë me përfundimin e akseve rrugore të Korridorit të Tetë dhe minimizimit të ndotjes së mjedisit, e cila po largon mjaft banorë nga qyteti në drejtim të Tiranës dhe Durrësit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›