E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkresa e ministrit Alibeaj lehtëson punën e sekretareve nëpër gjykata

TIRANE - Ministri i Drejtësisë lehtëson punën e sekretareve të gjykatës.

Me një shkresë të dërguar në gjykatën e kryeqytetit, është specifikuar se sekretaret gjyqësore kanë kompetenca vetëm për regjistrimin e seancave gjyqësore nëpër procesverbale dhe pasqyrimin e këtij informacioni në sistemin kompjuterik të gjykatës. Shkresa e ministrit iu është lexuar sekretareve të gjykatës së kryeqytetit dhe gjyqtarëve të këtij institucioni tre ditë më parë gjatë mbledhjeve organizative të mëngjesit në këtë gjykatë. Burime nga institucioni pohojnë se, lajmi është pritur mirë nga sekretaret, të cilave u dashur në mjaft raste të kryejnë mjaft procese punë që nuk është kompetencë e tyre por e togave të zeza. Ndërsa gjyqtarët kanë reaguar ashpër ndaj këtij urdhri, pasi sipas tyre paralizon punën në institucion. Gjatë një takimi në KLD, pak ditë më parë ministri i Drejtësisë pohoi se, do të ulë numrin e sekretareve gjyqësore nëpër gjykata. Sipas tij, numri i sekretareve nëpër gjykata nuk do të jetë më i vogël se një e treta e gjyqtarëve, por në të njëjtën kohë ai tha se, nuk do të vazhdohet më tej me traditën e deritanishme të organikës së punës çdo gjyqtar të ketë sekretaren e vet. Alibeaj pohoi gjithashtu se, në këtë mënyrë sekretaret do të mund të përfitonin rroga më të larta dhe se puna do të kishte më tepër seriozitet. Gjyqtarët që reaguan pas urdhëresës së ministrit pretenduan se sekretaret kanë kompetencë pune për të kryer edhe procese të tjera veç seancave gjyqësore. Sipas gjyqtarëve, sekretaret duhet të shkruajnë, printojnë dhe firmosin fletëthirrjet si dhe të regjistrojnë proceset gjyqësore dhe veprime të tjera që kryhen jashtë seancave. Gjyqtarë kryeqytetas, të kontaktuar pas kësaj urdhërese pohojnë se, ende nuk kanë vendosur se si do veprojnë pasi largimi i sekretareve nga zyrat e tyre pasi mbarojnë seancat, për të hyrë në një proces tjetër mund t’ju paralizojë punët. Ministri pak ditë më parë pohoi gjithashtu në KLD, se ishte i ndërgjegjshëm se sekretaret e gjykatave paguheshin pak dhe se sipas tij drafti për ngritjen e rrogave të tyre ndodhej në momentet e fundit. Aktualisht administrata e gjyqësorit është një nga sektorët shtetërorë që paguhet më pak.          fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›