Apollon Baçe kthehet në krye të Monumenteve
Apollon Baçe rikthehet në krye të Institutit të Monumenteve. Dje, në ambientet e IMK-së u bë prezantimi zyrtar i drejtorit të ri të institucionit. Vetë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka prezantuar Apollon Baçen në këtë pozicion, në vend të drejtorit të mëparshëm, Valter Shtylla, i cili doli në pension. çuditërisht nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga ana e MTKRS-së, apo IMK-së për këtë emërim, edhe pse MTKRS është një nga institucionet më të rregullta në dërgimin e njoftimeve, që nga takimet e ministrit me delegacione arabe, egjiptiane, etj.,etj. deri tek aktivitetet, ku MTKRS është thjesht mbështetës. Gjithsesi, Apollon Baçe është tanimë kreu i ri i IMK-së. Jo shumë kohë më parë Baçe u shfaq një ndër nismëtarët e reformave që duhen ndërmarrë në IMK dhe në të gjitha institucionet që kanë lidhje me trashëgiminë kulturore, duke hedhur propozime të reja, për ristrukturimin e tyre. Për Baçen nuk është hera e parë në krye të MTKRS-së. Ai u shkarkua nga kjo detyrë nga ish-ministri Ylli Pango për shkelje të Ligjit "Për Trashëgiminë kulturore" në dhënien e disa lejeve të ndërtimit në Durrës. çështja shkoi në gjykatë, nga ku Baçe doli fitues.