E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta, pritet bllokimi i Tiranës



Aristir Lumezi

Protestuesit do të bllokojnë sot të gjitha rrugët kryesore të Tiranës. Mbështetësit e grevës së socialistëve, që qëndrojnë të ngujuar prej 2 javësh para Kryeministrisë, do të grumbullohen në pika të ndryshme të Tiranës në orën 17:00, sipas një skeme të përcaktuar qartë nga selia rozë. Nën drejtimin e deputetëve të tyre e të ndarë sipas qarqeve, protestuesit që do të mbërrijnë në Tiranë nga e gjithë Shqipëria, do të marshojnë në këmbë për rreth një orë nga hyrjet e kryeqytetit, duke paralizuar të gjitha arteriet që të sjellin në qendër. Ky grumbullim njerëzish, për të cilin ka ditë që punohet në PS përmes deputetëve dhe strukturave të saj, do të bashkohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të vijuar më pas mitingun e protestës të lajmëruar në orën 18:00. Arteriet e Tiranës që pritet të bllokohen do të jenë rruga e Kombinatit, 21 Dhjetori, njëri krah i Lanës, rruga e Elbasanit, Zogu i Zi, rruga e Kavajës, rruga e Durrësit, Stacioni i Trenit dhe Bulevardi Zogu i I.
Policia
Ministria e Brendshme, përmes një deklarate shprehu shqetësim se po cenohet rendi dhe siguria e qytetarëve në vend, për shkak të protestave dhe shkeljes së ligjit nga strukturat e PS. Sipas Ministrisë së Brendshme, protagonistë të protestave që kanë kundërshtuar Policinë e Shtetit, janë persona me precedentë penalë. “Ministria e Brendshme disponon tashmë të dhëna të sakta se kundërshtimet me dhunë të punonjësve të policisë, gjatë manifestimeve të paligjshme të Partisë Socialiste, janë kryer dhe nxitur nga persona të evidentuar me precedentë kriminalë. Në radhët e personave të arrestuar, të ndaluar, të shoqëruar apo proceduar në gjendje të lirë, pas manifestimeve të paligjshme dhe pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit, të paktën 2 persona në Tiranë, 2 në Durrës, 4 në Shkodër, 4 në Gjirokastër dhe 2 persona në Berat figurojnë të evidentuar me precedentë kriminalë”, shprehet Ministria e Brendshme në njoftimin e saj. Ajo i bën thirrje PS të distancohet nga ky kontingjent që përbën rrezik serioz publik. Nga ana e tij, kreu socialist Edi Rama, gjatë fjalës së tij të djeshme në mitingun e protestës, i bëri apel Policisë së Shtetit që të mos ngrejë dorë ndaj deputetëve dhe mbështetësve të opozitës.
Duke iu referuar përplasjeve të djeshme në qytetin e Korçës, Rama ka paralajmëruar drejtuesit e policisë se pushtete të tilla që vijnë duke grabitur votën nuk e kanë jetën e gjatë. “Të gjithë, pa përjashtim të gjithë ata që sot marrin rrogën e shtetit, për t’i shërbyer qytetarëve duke garantuar ligjin, duhet ta fusin mirë në mendje se historia e ka treguar se pushtete të tilla janë pushtete që bien shumë më shpejt”, ka deklaruar Rama. Lideri i opozitës ka hedhur kritika të ashpra ndaj Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, për këtë reagim të dhunshëm të forcave të rendit. “Unë nuk them se Ministrit të Brendshëm duhet t’i vijë turp për incidentin e djeshëm me Pandeli Majkon, sepse ky ministër është shëmbëlltyra më e qartë e këtij pushteti në kërkim, që ka bërë abuzimin më të madh. Nuk ka turp më të madh”, ka pohuar Rama. Dje protesta e socialistëve në Përmet degradoi në konfrontim me policinë, e cila nuk lejoi bllokimin e rrugës nacionale. Policia ndërhyri ndaj protestuesve, kur ata tentuan të bllokojnë rrugën nacionale. Për disa minuta mes protestuesve dhe policisë ka pasur përplasje, tone të larta, pa shmangur dhe konfrontimet fizike, ndërsa nuk ka lejuar bllokimin e rrugës. Ndërsa në Sarandë, protestuesit e PS nën drejtimin e deputetes Luiza Xhuvani protestuan për transparencën e zgjedhjeve, por nuk tentuan të bllokojnë rrugën që lidh Sarandën me Gjirokastrën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›