Mbijetesa, sot java e verdikteve
Nëntëdhjetë minutat e sotme në Fier, Durrës dhe Peqin mund të vendosin skuadrën që do t'i bashkëngjitet Gramozit të Ersekës në rënien direkt nga kategoria. Por ankthi i tifozëve dhe lojtarëve të këtyre skuadrave nuk është më i madh edhe se ai atyre që mbështesin Vllazninë, Skënderbeun apo edhe Flamurtarin. Vllaznia gjendet nën një presion të madh, pasi teorikisht mund të kapë sërish Ligën e Evropës, sikundër dhe mund të bjerë direkt nga kategoria nëse humbet që të dy takimet e fundit ose të luajë ndeshje "play-out", nëse nuk merr pikë të plota dhe natyrisht në varësi të asaj që do të bëjnë edhe ekipet e tjera. Apolonia - Shpëtimi i Apolonisë varet jo vetëm nga çfarë do të bëjë ajo vetë sot në fushën e saj ndaj Vllaznisë, por edhe në atë se çfarë do të bëjnë kundërshtarët direktë (Teuta e Kastrioti). Fakt është se edhe me një skenar shumë pozitiv Apolonia nuk i shpëton dot të paktën ndeshjeve "play-out". Teuta - Shumë probleme për skuadrën e Ylli Shehut. Teuta luan me Flamurtarin (teorikisht shikon ende nga Kupat e Evropës dhe mund të mos i lëshojë pe) dhe me Vllazninë në javën e fundit ndaj zor se mund t'i shmanget ndeshjeve "play-out". Durrsakëve minimalisht u duhet edhe një trepikësh (gjithnjë nëse Apolonia nuk merr gjashtë pikë të plota) për të siguruar të paktën mos-rënien. Kastrioti - Praktikisht nëse merr pikë në Peqin ndaj Shkumbinit atëherë do të kenë mundësi të luajnë mbijetesën në përballjen e fundit ndaj Laçit, e cila mund edhe të konsiderohet e fituar përderisa kurbinasit janë me 99.99 për qind në Ligën e Evropës. Gjithsesi, për t'iu larguar edhe zonës "play-out", Kastrioti duhet që të fitojë që të dyja ndeshjet (Shkumbini, Laçi), çka parashikohet si mjaft e vështirë, të paktën për takimin në Peqin, pasi edhe vetë vendësit janë në valle për mbijetesë.
Superiorja
Java 32, sot ora 16:30
Tirana-Dinamo
Gjyqtar: Enea Jorgji
Besa-Gramozi
Gjyqtar: Sokol Jareci
Laçi-Skënderbeu
Gjyqtar: Laver Alla
Shkumbini-Kastrioti
Gjyqtar: Kridens Meta
Teuta-Flamurtari
Gjyqtar: Ervis Peza
Apolonia-Vllaznia
Gjyqtar: Lorenc Jemini