Klodian Semina, te qipriotët e Ermis Aradipu
Mbrojtësi Klodian Semina ka firmosur dje një kontratë tre vjeçare me ekipin qipriot të Ermis Aradipu. Pas vetëm një sezoni në radhët e Gramozit shkodrani i kthehet aventurës jashtë Shqipërisë. Vet Semina është shprehur shumë entuziast për këtë transferim në një prononcim publikuar në faqen e albaniasoccer. "Jam shumë i kënaqur që arrita akordin me drejtuesit qipriotë dhe mund të them që kushtet që më ofruan janë shumë të mira, si ekonomike ashtu edhe ato materiale. Klubi më ka siguruar shtëpinë dhe një automjet për të lëvizur nëpër qytet. Kam firmosur një kontratë tre-vjeçare dhe dua të falënderoj të gjithë ata që e bënë të mundur këtë transferim timin", ka pohuar Semina. Mbrojtësi shqiptar do të përfitojë 270 mijë euro, ose më mirë 90 mijë euro në sezon nga kjo kontratë plus shpenzimet ekstra që do të paguhen nga klubi. Ermis Aradipu është një skuadër e nivelit mesatar që sezonin e fundit u rendit në vendin nëntë në superligës qipriote. Më përpara Semina ka luajtur edhe një sezon te skuadra e Belastica Petriç në Bullgari (2008-2009) por rënia nga kategoria si dhe falimentimi i këtij klubi (aktualisht nuk ekziston më) detyroi lojtarin që të rikthehej në Shqipëri.