Shaqiri, "vogëlushi" i Kupës së Botës
Mesfushori kosovar, Xherdan Shaqiri, pritet të jetë njëri prej pjesëmarrësve më të rinj në botërorin "Afrika e Jugut 2010", shkruan gazeta zvicerane "Basler Zeitung". Shaqiri është ftuar nga trajneri i Zvicrës, Otmar Hitzfeld, për të marrë pjesë në Botërorin 2010. Ai është vetëm 18-vjeç. "Të marrë pjesë në një botëror me lojtarët më të mirë të Zvicrës, është një ëndërr e realizuar për mua", ka thënë Shaqiri. Gjilanasi ka debutuar me Zvicrën më 3 mars në një ndeshje miqësore me Uruguain. Ai luajti 45 minuta në atë takim. Ndërsa tani ka rastin që të luajë me lojtarët më të njohur të botës. Madje më 16 qershor në Durban, Zvicra do të përballet me kampionen e Evropës, Spanjën. Ngritja e Shaqirit këtë edicion ka qenë gjigante. Ai vitin e kaluar luante për grup-moshat e reja të Baselit. Madje luante deri vonë me U-18 e Zvicrës. Në maj të vitit të kaluar pikërisht me U-18 e Zvicrës pësoi humbje të turpshme kundër Luksemburgut. Mirëpo, që nga atëherë gjërat kanë ndryshuar shumë. Ai u ngrit me hapa të shpejtë dhe në mars mori një ftesë në Përfaqësuesen A të Zvicrës. Ftesa i erdhi pasi e siguroi vendin si titullar në Basel.