E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodheli: Gjana ka dështuar me bujqësinë shqiptare

Socialistët shprehen kritikë ndaj politikave të qeverisë për bujqësinë. Sipas zëdhënëses së kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, qeveria dhe Ministria e Bujqësisë vazhdojnë të gënjejnë në lidhje me rezultate në sektorin e bujqësisë. Ajo kërkoi që qeveria dhe ministri Gjana t’iu kërkojë falje fermerëve për këto 3 vjet keqqeverisje. “Ministri flet për skemën e mbështetjes së fermerëve me fonde për rritjen e sipërfaqeve me vreshta, pemëtore, ullinj, por të gjithë fermerët e dinë shumë mirë se ato investime, krejtësisht pa kritere dhe teknologji bashkëkohore, dhe të paorientuara mbi bazë rajonizimi në vend, natyrisht nuk përfaqësojnë eficencë dhe produktivitet, përkundrazi ato janë të orientuara politikisht për militantët elektoralë dhe në shumë raste të manipuluara, ku ata që kanë përfituar lekë në dorë”, - tha Kodheli.

Sipas PS-së, qeveria shqiptare vazhdon të bëjë demagogji qesharake për rritjen e produktit vendas bujqësor. “Mjafton t’i referohemi një të dhëne, se prodhimi i grurit na qenka rritur me 20%, një e dhënë e cila nuk konfirmohet as nga kryepleqtë dhe as nga burimet vendore të qeverisjes në komuna e fshatra”.

LSI: Moslegalizimi, pengesë për kartat e identitetit

Lëvizja Socialiste për Integrim shqetësohet me kartat e identitetit, duke bërë publik faktin se moslegalizimi do të pengojë përgatitjen e tyre. Zv.sekretarja e Përgjithshme e LSI, Brizida Gjikondi, theksoi dje gjatë një konference për shtyp se "me mijëra shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë në zona informale, janë ende të paidentifikuar dhe s'mund të pajisen me karta identiteti si pasojë e mosfunksionimit të procesit të legalizimeve". Sipas saj, një faktor tjetër që pengon në këtë drejtim është edhe mungesa e sistemit të adresave. Pavarësisht rikës së LSI-së, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka deklaruar së fundi se prodhimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm. Ministri Nishani është shprehur optimist mbi dinamikën e punës së kryer deri tani nga kompania koncesionare "Sagem Securite", dhe nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Brendshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›