E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia, Arsenali dhe “Kombet e Bashkuara të Myzeqesë”

Nga Algen Vrapi

Albania-Sport
- Nuk është tashmë një rastësi, por po shndërrohet në normë, pasi është hera e dytë brenda një sezoni, që klubi "Apolonia" kërkon ndërprerjen e ndeshjev. Zyrtarisht, në një letër drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit, thuhet se ekipi ka në dispozicion vetëm dhjetë lojtarë dhe e ka të pamundur të zhvillojë ndeshjen e radhës kundër Kastriotit. Një fakt tjetër, vërtet shqetësues për të sotmen e të ardhmen e futbollit shqiptar, që te Apolonia, bie dukshëm në sy: po humbet identiteti i futbollit vendas. Shifra prej 14 lojtarë të huaj, që bën të ditur vetë klubi, do të ishte e papranueshme edhe për klubet më në zë të ligave të para në Evropë, përjashto superklubet që kanë koleksionuar të gjithë trofetë jo vetëm të kontinentit. Katërmbëdhjetë të huaj dhe në vend të parafundit. Një paradoks i cuditshëm. Arsen Venger thotë: "Nuk i shoh futbollistët nga pasaporta, por nga vlerat reale që japin në fushë". Por superklubet angleze, italiane, spanjolle që kanë këtë mendësi, synojnë elitën e futbollit evropian, synojnë kurorën. Në një vend të vogël si Shqipëria, aq më shumë në një ekip që rrezikon të zbresë një kategori më poshtë, duke dhënë gjatë gjithë kampionatit një futboll tejet modest, mendësia e Vengerit duhet të duket kozmike. Gjithsesi është e drejta e secilit të bëjë zgjidhjen si e mendon më mirë. Por 14 të huaj te Apolonia, nuk kanë dhënë në fakt asnjë ngritje cilësore, asnjë rritje të konkurrueshmërisë. Nga ana tjetër, dëmi më i madh është për futbollin e bazës, për fëmijët e të rinjtë vendas, që humbasin në një masë të madhe shansin për të luajtur me ekipin e parë të qytetit të tyre. Gjithashtu kjo metodë pune sjell me kohë zbehjen e dëshirës së qytetarëve për të shkuar në stadium, ku është normale që të shohin më së shumti djemtë e tyre të veshur me fanelën e skuadrës së zemrës. Përvoja shqiptare e shumë viteve të fundit ka treguar se puna sot për sot, pa strategji që fillon te moshat, është joproduktive. Po e vuajnë shumë skuadra shqiptare këtë, jo vetëm Apolonia, po e vuan edhe përfaqësuesja e shpresave, edhe kombëtarja, imazhin e të cilave e kemi të freskët nga takimet e fundit miqësore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›