E Diel, 1 Nëntor 2026

Devolli: Na mungoi fati, së shpejti një super Tiranë

 

Tirana nuk shkoi më shumë se një barazim ndaj Besës, por në gjirin e saj janë të bindur se kanë fituar në një plan tjetër. Ekipi bëri një lojë më të mirë se kundërshtari, edhe pse skuadra në fushë luante pa titullarët e saj. Për mesfushorin Bledar Devolli, Tirana nuk mori fitoren e dëshiruar ndaj Besës, por fitoi lojën dhe besimin për të bërë përpara.
Si e vlerësoni ndeshjen ndaj Besës?
Bëmë lojë të mirë dhe në tërësi ishim më lart se kundërshtari, por na mungoi fitorja dhe në këtë pikë të fundit s’jemi të kënaqur. Gjithsesi, edhe pse humbëm dy pikë, unë besoj se kemi fituar në lojë, kur kemi parasysh aq shumë mungesa titullarësh. Sa për shiritin e kapitenit, ai qe një vendim i trajnerit, që sigurisht e pranova me kënaqësi dhe me përgjegjësi.
Ekipi shfaqi disa probleme, por u duk se i mungoi fati...
Në fakt, ne krijuam mjaft raste dhe ishim disa herë pranë golit, por nuk qe e thënë të merrnim tri pikët. Mirëpo, siç thashë, kemi bërë përparime në lojë dhe kjo për ne është tepër e rëndësishme. Mos harrojmë se nga Tirana kampione e sezonit të kaluar luanin në këtë sfidë vetëm pak lojtarë nga minuta e parë. Kanë ardhur shumë të rinj që nuk janë përshtatur ende sa duhet.
Besa ka shfaqur ambiciet e saj për titull, por të shtunën nuk tregoi ndonjë epërsi ndaj jush....
Unë mendoj Tiranën si skuadër kampione dhe për këtë jam i bindur. Nuk dua ta komentoj Besën, lojën dhe ambiciet e saj. Sigurisht që edhe ata kanë një grup të mirë, por unë i qëndroj idesë se ne shumë shpejt do të marrim kreun. Është çështje kohe, sapo të na kthehen titullarët. Nuk merremi me rivalët, shohim punët e skuadrës sonë. Jam optimist për ecurinë e mëtejshme.
Kur mendoni se do të jeni një skuadër e vërtetë, d.m.th. e fortë?
Ne luajtëm ndaj Besës me një gjysmëskuadër, nëse shprehem kështu. Munguan Muka, Memelli, Lila, Dabulla etj, që janë titullarët kryesorë. E megjithatë luajtëm më mirë se Besa dy ditë më parë. Imagjinoni lojën dhe rezultatet tona kur të na kthehen këta lojtarë. Jo se të rinjtë që kemi janë të këqij, përkundrazi, por siç thashë, atyre u duhet dhe pak kohë të përshtaten si duhet.                                         a.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›