Sejdiu, Hyseni mbërrijnë në Nju Jork për betejën tjetër
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, udhëtuan për në Nju Jork, për t’u përballur edhe një herë për çështjen e njohjes së pavarësisë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sejdiu dhe Hyseni do të zhvillojnë takime me kryetarë e përfaqësues shtetesh të ndryshme në takimin e Nju Jorkut. Gjatë kësaj vizite, delegacioni i Kosovës do të lobojë për njohjen e shtetit në takimet e shumta që pritet t’i zhvillojë me delegacione nga shtetet, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën. Pritet që të zhvillohen rreth 40 takime të tilla. Hyseni beson se Kosovën do ta njohin edhe shtetet që kanë hezituar ta bëjnë këtë hap para se të merret vendimi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sipas RTK, Hyseni ka thënë se do të lobojë për të siguruar mbështetje sa më të madhe për njohjet e mëtejme të Kosovës dhe për ballafaqimin kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. “95 për qind të kërkesave për takime janë të drejtuara tek ato vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Përpjekjet e Serbisë për t’iu kundërpërgjigjur lobimit të Kosovës për njohje të reja po na bëjnë më këmbëngulës në përpjekjet për njohje të reja”, ka theksuar ai. Hyseni është shprehur se Kosova ka më shumë aleatë në seancat dëgjuese në Gjykatën e Drejtësisë. Hyseni ka siguruar se Kosova nuk po rri pasive, ndërkohë dhe nuk ka ndër mend të dorëzohet. “Institucionet e Kosovës janë duke bërë lobim të përditshëm në trajta të ndryshme. Konferencat ndërkombëtare janë ato që shihen, por pjesa tjetër e lobimit nuk shihet, derisa ato të japin rezultatet”, sqaroi shefi i diplomacisë kosovare pas kritikave të opozitës se qeveria nuk po bën sa duhet për të forcuar njohjet e pavarësisë së vendit. Bashkë me Presidentin, Zonja e parë e Kosovës, Nezafete Sejdiu, do të zhvillojë një vizitë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, me ftesë të zonjës Ban Son-Taek, bashkëshortja e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, si dhe do të marrë pjesë në “Takimin e dytë qendror vjetor të Kombeve të Bashkuara për autizmin”.