E Diel, 1 Nëntor 2026

Halili: Na dënojnë se nuk iu bindëm FSHF-së

 

Leonard Karaj

Ai është i bindur se gjithçka negative që ndodh ndaj Tiranës vjen nga zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit. Këtë gjë e ka deklaruar së fundmi në vetë të parë edhe nga studio e “Skaner kampionat” ku ishte i ftuar. Dhe sipas Refik Halilit, kjo vjen ngaqë ai nuk pranoi të firmoste kontratën, paçavure sipas tij, për të drejtën televizive. “Sapo shkova në klub futbollistët po më ankoheshin. O shefo, e shikon se për atë dreq të drejte TV tani po na dënojnë. Megjithatë unë e kam për detyrë t’u shpjegoj të gjithë sportdashësve, por më së shumti tifozëve të Tiranës se refuzimi i asaj kontrate, që vetëm kontratë nuk ishte, erdhi pasi nuk dua assesi që të lë pas probleme gjyqësore në klub ashtu sikundër kanë bërë më parë të tjerët”, ka pohuar Refik Halili, duke drejtuar gishtin nga drejtuesit e federatës.
Takimi
Më tej kreu bardheblu ka treguar edhe pikat nevralgjike, ku sipas tij kanë bërë të mundur refuzimin e kontratës për të drejtën TV. Në këtë rast ai ka treguar edhe takimin me sekretarin e FSHF-së, Ed Prodani, një natë para se kontrata të bëhej publike dhe të nënshkruhej nga 10 klube të Superligës. “Sekretari Prodani më erdhi me dy gisht kontratë, të cilën edhe noterit më të thjeshtë në një cep të Shqipërisë po t’ia jepte ta lexonte do të këshillonte që të mos firmosej, e jo më një jurist. Ndaj unë nuk refuzova aspak të ardhurat që vinin nga kjo kontratë, por faktin se aty nuk do të mund të mbroja më klubin e Tiranës, i cili realisht i jepte të gjitha kompetencat federatës. Do të ishte ajo që do të ndërmjetësonte si të donte me UFA Sports. Unë kërkova që të firmosja një kontratë të rregullt ose me kompaninë ose me federatën, mjaft që çdo gjë të shkruhej në kontratë, përfshi këtu edhe penalitetet se edhe KF Tirana të ishte palë në të. Sipas meje kjo ishte gjëja më normale”, ka vazhduar presidenti i klubit të Tiranës Refik Halili.
Kompania
Ndërkaq Njësh bardheblu ka kundërshtuar edhe faktin se lidhur me këtë kontratë ka pasur një informacion minimal për të mos thënë, hiç fare dhe asnjë nga klubet që kanë firmosur nuk e kanë parë realisht sesi është kontrata që ata kanë firmosur. “Do t’ju lutesha ta shikonin një kopje të kësaj kontrate, por kam përshtypjen se askush s’e ka. Kjo, pasi federata nga fillimi ka dashur të bëjë ç’të dojë me këtë një kompani maqedonase, por që thotë se e ka qendrën në Gjermani, ndërsa si negociator dërgon një shtetas grek me banim prej dhjetë vitesh në Shqipëri. Më quani si të doni, por për veshin dhe kulturën time kjo gjë kërkon një minimum sigurie”, ka pohuar Halili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›