E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinë, sulmet me shiringa të infektuara kthehen në psikozë

 

Në Kinë është rritur numri i rasteve të denoncuara me sulme me shiringa të infektuara me virusin HIV. Në rajonet e karakterizuara nga dhuna ndëretnike, numri i denoncimeve po rritet në mënyrë të shpejtë. Psikoza ka ‘pushtuar’ vendin pas disa sulmeve me shiringa të kryera nga uigurët myslimanë kundër kinezëve të etnisë han, të cilat janë më të favorizuar nga qeveria. Sipas shtypit lokal, frika se mund të jenë shpuar me shiringa të tilla ka mbërthyer kinezët në të gjithë vendin, edhe në zona shumë larg atyre problematike, ku këto dita kanë nisur denoncimet e para. Fobia ka mbërthyer të gjithë sektorët socialë, duke nxitur panik e terror mes njerëzve. Në një provincë të quajtur Xi’an, ku popullsia uigure nuk ekziston, një burrë është arrestuar pasi ka goditur një vajzë me kruajtëse dhëmbësh. E reja dhe sulmuesi i saj janë kinezë të etnisë han. Pas protestave të dhunshme të fillimit të shtatorit, ku në Urumqi u goditën 475 persona me shiringa të infektuara me HIV, policia kineze po vazhdon hetimet dhe deri tani ka arrestuar 75 persona që akuzohen se u përkasin grupeve terroriste. Javën e kaluar janë dënuar tre uigurë, një prej të cilëve me 15 vite burgim, pasi kanë kërcënuar apo goditur kinezët me shiringa. Të gjithë personave të sulmuar me shiringa u janë bërë analizat dhe asnjë prej tyre nuk ka rezultuar i infektuar nga virusi HIV.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›