Komuniteti i prokurorëve përgatitet për kundërshtime ndaj projektligjit
TIRANE – Komuniteti i prokurorëve duket se është duke artikuluar qëndrimin, që do të mbajnë në komisionin e Ligjeve, ku pritet të diskutohet drafti i Ministrisë së Drejtësisë për organin e akuzës. Sipas prokurorëve, neni 27 i projektligjit konsiderohet prej tyre si i papranueshëm, madje në atakim me Kushtetutën. Një nen i tillë parashikon se në rast shkarkimi të padrejtë nga detyra, prokurori nuk ka të drejtën e kthimit në detyrën që ka qenë, por mund të përfitojë një “shpërblim të arsyeshëm” nga gjykata. Një përcaktim i tillë në projektligj në kohën kur gjyqtarët e kanë të drejtën e kthimit në detyrë, në rast shkarkimi të padrejtë, ka shkaktuar kundërshtimin e prokurorëve. Këta të fundit shprehen se janë në pritje të ftesës nga Komisioni Parlamentar për të marrë pjesë në diskutimin dhe paraqitjen e vërejtjeve dhe sugjerimeve, që ata kanë për përmbajtjen e draftit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë. Përfaqësuesit e akuzës thanë se do të kërkojnë energjikisht në komisionin e Ligjeve ndryshime në draft me qëllim, që të fitojnë të drejtën e kthimit në detyrë nëse gjykata e konsideron shkarkimin të padrejtë. t.s