Apolonia, fitorja që vlen vetëm për moral
Fierakët më në fund kanë dalë te fitorja, aq më tepër në shtëpi, por thjesht statistikore, duke e mundur dy herë Shkumbinin
APOLONIA – SHKUMBINI 5-2
Shënues: Papingu 9 81, Gashi 46, Babaj 60 62 / Balliu 26 54
APOLONIA: Xhixha, Dimo, Lamaj, Bualli, Metaj (Mysliu 61), Mahilaj (Bako 71), Naçi, Gashi (Xhelilaj 63), Babaj, Prifti, Papingu. Trajner: Dh. Papuçiu.
SHKUMBINI: Ajazi, E. Magani, Koraj, Nexha, Gjata, Ramazani, A. Magani, Asllani (M.Sukaj 46), Lundraxhiu, Lluca, Balliu. Trajner: K. Dervishi.
Gjyqtarë: A. Kastrati, N. Stërkaj, F. Tharja (Shkodër)
Apolonia dhe Shkumbini kanë mbyllur llogaritë e Kupës së Shqipërisë, duke luajtur mes tyre ndeshjen e fundit për grupin A. Në Loni Papuçiu, Apolonia ka bërë atë që nuk po mund ta bëjë dot prej javësh në kampionat dhe ka fituar ndaj peqinasve me rezultatin e thellë 5-2.
Edhe në Peqin, bardhejeshilët kishin dalë fitimtarë, teksa kishin fituar me rezultatin 4-3. Pavarësisht rezultatit që do të shënohej, duhet theksuar se asnjë nga skuadrat nuk ishte e interesuar për përfundimin, pasi të drejtën e kualifikimit për më tej e kishin fituar qysh në takimet e parafundit Tirana dhe Laçi.
Nisur nga ky fakt, si fierakët, ashtu dhe peqinasit, kanë preferuar që tu krijojnë hapësira futbollistëve të rinj. Vendësit kanë zhvilluar një lojë të bukur, dinamike dhe të shpejtë, çka prej javësh i mungonte Apolonisë. Lojtarët e rinj të skuadrës fierake kanë shfaqur shumë dëshirë dhe kanë pasur një mundësi të mirë për të dhënë një provë pozitive para stafit teknik të Apolonisë.
Sulmuesi 17-vjeçar Erion Papingu ka shënuar pa u mbushur minuta e 10-të e takimit, duke i hapur rrugë një fitoreje të lehtë të skuadrës së tij. Është po ky futbollist që do të mendojë dhe për të mbyllur siparin e golave të këtij takimi, duke regjistruar një dopietë personale, ashtu si dhe talenti tjetër fierak, Bruno Babaj. Bardhejeshilët kërkojnë edhe golin e dytë, por edhe peqinasit sikur janë zgjuar.
Loja bëhet interesante dhe Gjata ka synuar barazimin në minutën e 18-të, por është ndalur nga grushtimi i portierit Xhixha. Në minutën e 26-të do të vijë dhe goli i barazimit momental shënuar nga miqtë. Artur Magani do të krosojë saktë në zonë, atje ku Balliu do të shfrytëzojë një pasiguri të Xhixhës dhe do të shënojë për Shkumbinin. Janë dy mundësi të mira për futbollistin fierak Prifti të sfumuara nga grushtimet e portierit mik.
Pjesa e dytë do të ketë një fillim të rrufeshëm nga ana e fierakëve, të cilët do të shënojnë qysh në minutën e parë të saj. Do të jetë Gashi, që, pasi ka shmangur me finesë dy futbollistë të mbrojtjes mike, është futur drejt qendrës, ka shmangur dhe ndërhyrjen e portierit Ajazi dhe ka shënuar golin e dytë për Apoloninë. Pas këtij goli, u krijua përshtypja se fierakët do ta kishin më të lehtë në drejtim të sigurimit të rezultatit, por peqinasit nuk dorëzohen.
Ata reagojnë mirë dhe do të barazojnë edhe një herë tjetër në minutën e 54-t, sërish me anë të Balliut. Fierakët sikur shkunden dhe marrin totalisht frenat e lojës në dorë. Bruno Babaj do të shënojë dy herë në harkun e dy minutave, për të menduar sërish ai që e hapi, Papingu, i cili do të vuloste dhe rezultatin përfundimtar të këtij takimi, 5-2.
