Teutës nuk i mjafton një gol, Flamurtari nuk lëshon në Durrës
Grupi B
Flamurtari 10 pik렠 6-3
Kamza 9 pikë 9-4
Teuta 9 pikë 4-2
Pogradeci 4 pikë 4-14
Pritej një goleadë e durrsakëve, por vlonjatët kanë luajtur pastër, duke mos toleruar aspak, edhe pse nuk kishin motiv në Kupë
Teuta Flamurtari 1-0
Shënues: A. Hoxha 67
Teuta: Rizvani, Sheta, Osmani, Jakupi, Bakiasi, Tairi (Metani 85), A.Hoxha, Nika (Mancaku 65), Hyshmeri, Dosti, Çota (Pepa 70). Trajner: H. Lika.
Flamurtari: Moçka, Sakaj, Rajoviç, Brahja, Begaj, Liçaj, Kuqi, Telushi, Brkiç, Shehaj, Idrizaj. Trajner: Sh. Muça.
Kartonë të verdhë: Liçaj, Kuqi, Rajoviç
Karton i kuq: Rajoviç
Gjyqtarë: A. Taullau, R. Avdo, E. Barushi (Tiranë)
Teuta ka mundur Flamurtarin në Niko Dovana me rezultatin 1-0, por kjo fitore nuk u ka mjaftuar durrsakëve për të kaluar në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë, pasi Kamza ka arritur një fitore tenistike me Pogradecin 6-0 dhe në këtë mënyrë Teuta eliminohet nga Kupa, duke vazhduar betejën e saj vetëm në kampionat, kur kryeson duke u shpallur edhe kampione e dimrit. Ndeshja është luajtur në një terren mjaft rënduar nga shiu i vazhdueshëm dhe në një mot tepër të ftohtë e me erë.
Megjithatë, të dy ekipet kanë luajtur fort dhe ndeshja është ngjitur deri në nivelin mesatar. Durrsakët kanë kërkuar më kembëngulje golin e avantazhit që nga fillimi i pjesës së parë e deri në fund, por pavarësisht rasteve, Teuta nuk arrin të shënojë. Rastet më flagrante për durrsakët janë në minutën e 24-t, kur Dosti nga e majta në pozicion të prirët në hyrje të zonës godet fort, por grushton Moçka, ndërsa në të 32-ën është Nika që gjendet i vetëm me Moçkën, por sërish ky i fundit ka grushtuar, duke shpëtuar portën e tij.
Nga ana e tyre, vlonjatët luajnë me kujdes në mbrojtje dhe tentojnë të kundërsulmojnë rrezikshëm, ku rasti më i mirë për ta është minuta e 28-të, kur Rajoviç, pas një krosimi nga krahët, ka devijuar topin drejt portës, por ky i fundit ka përfunduar jashtë fare pranë shtyllës së majtë pingule të portës durrsake.
Flamurtari, nga ana e tij, ka pasur formacionin titullar, me përjashtim të Hysës, Lenës dhe Abrahamit. Vlonjatët kanë luajtur mirë dhe nuk kanë krijuar hapësira në mbrojtje. Pjesa e parë është mbyllur në barazim 0-0. Pjesa e dytë ka filluar akoma më e vrullshme për durrsakët, që kanë shpresa për kualifikim dhe kërkojnë me ngulm fitoren.
Në të 55-ën Nika kroson në zonë për Dostin, që godet me kokë, duke qethur traversën, ndërkohë që trajneri Lika ka hedhur në fushë në përforcim të sulmit edhe Mancakun, Metanin e Pepën. Në të 67-ën ka ardhur edhe goli i fitores për durrsakët. Ka qenë një gabim i portierit Moçka brenda zonës së tij, duke e mbajtur topin mbi 6 sekonda dhe kryesori Taullau ka akorduar një goditje dënimi me dy takime brenda zonës në favor të Teutës.
Ka qenë Mancaku ai që ka lëvizur topin dhe Altin Hoxha ka shkarkuar një predhë të vërtetë, duke e përplasur topin në rrjetë dhe Teuta kalon në avantazh. Pas golit të shënuar, durrsakët hidhen gjithnjë e më shumë në sulm për të shënuar të tjerë gola, por nuk ia dalin.
Në minutën e 88-të Flamurtari mbetet me 10 lojtarë, pasi Rajoviç ka penguar pranë zonës Pepën dhe është ndëshkuar me të verdhë nga kryesori Taullau, por Rajoviç ka protestuar ashpër dhe Taullau e ka ndëshkuar edhe me një të verdhë tjetër për protestë, duke nxjerrë për pasojë të kuqen. Por nuk ka histori më, mbaron 1-0 për Teutën, por fitorja vlen vetëm për statistikë.
Hasan Lika, trajner i Teutës: Ishte një ndeshje e mirë për ne, në një terren të vështirë, por sërish shpërdoruam raste shënimi, përballë një Flamurtari që luajti fort dhe me seriozitet. Ne bëmë detyrën dhe arritëm një fitore me Flamurtarin, ku duhet thënë që edhe ngarkesa është e madhe për djemtë, të cilët po luajnë një intensitet ndeshjesh tepër të vështira. Gjithsesi, u eliminuam dhe për këtë kemi edhe vetë përgjegjësi, pasi nuk arritëm të fitojmë me Kamzën dhe Pogradecin në Durrës. Nuk dua ta paragjykoj ndeshjen tjetër, merremi me veten tonë.
Shkëlqim Muça, trajner i Flamurtarit: Unë jam i kënaqur nga djemtë, të cilët luajtën mirë dhe në këtë ndeshje unë pata mundësi të shoh edhe tre lojtarë që i kam aktivizuar në këtë ndeshje dhe në përgjithësi jam i kënaqur nga ajo që dhanë djemtë në fushë. I vetmi problem për mua në këtë ndeshje ishin kartonët, pasi u penalizuam shumë dhe për këtë nuk jam i kënaqur. Gjithsesi, tashmë vazhdojmë betejat në kampionat edhe në kupë, ku kemi objektivat tona.
