E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa mund Luftëtarin rival, por svlen në Kupë

Nga LEONARD DUSHKU

Ndeshja e dalë jashtë objektivave që prej një jave ka shërbyer për të testuar të rinjtë dhe në fund ka rezultuar fituese për kavajasit

 

Besa Luftëtari 2-0

Shënues: Fejzullahu 12, Hasa 78

Besa: Guma, Ndoni (Perja 46), Karriqi, Duro, Bllaka, Gjini (Muho 55), Duka, Fejzullahu (Kanapari 55), Tosuni, Hasa, Hylviu. Trajner: G. Magani

Luftëtari: Kasha. Zholi, Baçi (Grabova 32), Mersini, Devolli (Kalemi 46), Bistri, Ramadani (Thimio 46), Shehaj, Kërmezo, Pjetrani, Këndella. Trajner: D. Kristidhi

Gjyqtarë: E. Demiraj, A. Mema, V. Tola (Pogradec)

Kartonë të verdhë: Hasa, Fejzullahu / Mersini

Ndeshja mes Besës dhe Luftëtarit ishte një detyrim që duhej përmbushur për kompeticionin e kupës, pasi këto skuadra edhe pse mund të fitonin ndaj njëra-tjetrës, janë skualifikuar matematikisht një takim më përpara. Megjithatë, ka rezultuar efikas ky takim për të parë aftësitë që kanë të rinjtë për tu pranuar në ekipin e parë si për Luftëtarin dhe për Besën. Në minutat e takimit Magani ka pasur më shumë kohë për tua dedikuar të rinjve dhe për tu dhënë atyre hapësira në ndeshjet e ardhshme në ekipin e arë.

Të njëjtat fjalë vlejnë dhe për trajnerin e dytë të Luftëtarit, i cili ka bërë një ndërthurje mes lojtarëve me më shumë eksperiencë dhe atyre që vijnë nga ekipi zinxhir U-19. Takimi ka nisur i ftohtë jo vetëm për shkak të temperaturave që kanë përfshirë vendin, por edhe se në stadium numri i tifozëve nuk e ka kaluar 100-n.

Kavajasit kanë dashur ta zhbllokojnë rezultatin të parët dhe me sulmet e tyre kanë vënë në vështirësi për disa minuta radhazi portën gjirokastrite. Në të 12-ën minutë kosovari Arbnor Fejzullahu, pasi është ndihmuar nga shokët e skuadrës, e ka kaluar Besën në avantazh. Ky gol, pasi është shënuar, ka qenë i vështirë për tu ruajtur, sepse gjirokastritët kanë dashur të barazojnë shifrat dhe e kanë mbajtur në tension mbrojtjen vendase.

Rastet për shënim kanë qenë të shumta nga ana e miqve, por vendasit minutë pas minute kanë kërkuar të kundërsulmojnë, por terreni është rënduar nga shirat dhe mbërritja përpara portës mike ka qenë e vështirë. Kaq ka mjaftuar për pjesën e parë dhe gjithçka tjetër është zhvilluar në 45-minutëshin e dytë të takimit, ku trajneri zëvendës i Mustafa Hysit ka kryer disa zëvendësime për të kërkuar një rezultat tjetër nga ky takim.

Fraksioni i dytë i takimit nis i shpejtë, ku gjirokastritët kërkojnë maksimumin, por kavajasit studiojnë mirë terrenin e miqve dhe sulmojnë minutë pas minute. Mateo Hasa dhe Arbnor Fejzullahu janë lojtarët më kërkues për Besën dhe organizohen mirë në sulmet që ndërmarrin. Në minutën e 78-të, kur mbeteshin dhe 12 minuta për të përfunduar takimi, Mateo Hasa kalon dy-tre mbrojtës në zonën e rreptësisë së Luftëtarit dhe shënon pa shumë vështirësi përballë portierit Kasha.

Në minutat e mbetura Luftëtari kërkonte një gol nderi, por vendasit e mbajnë të pastër fitoren e tyre deri në fund të takimit. Mbi të gjitha, kjo ndeshje ishte e menduar si një miqësore për ti paraprirë ndeshjes së kampionatit këtë fundjavë, ku Luftëtari kërkon të ruajë kreun, pasi ka fituar në Velipojë, ndërsa Besa që fitoi me Elbasanin, kërkon që tu afrohet sa më shumë vendeve të kreut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›