E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kualifikimi i Kamzës, fryti dimëror i Pemës

Nga ILIR CARA

Kamzalinjtë arrijnë një fitore tenistike me pogradecarët dhe falë golaverazhit më të mirë përparojnë në Kupë para Teutës

Kamza Pogradeci  6-0

Shënues: Pema 26, 62, 80, 87 F. Tafaj 36, Belçev 52

Kamza: Haxho, F. Tafaj, Ndreka, Ardit Beqiri, Hallaçi, Belçev (Mici 66), Capa, Manuka (Ardian Beqiri 83), E. Tafaj, Karapici (Kënga 85), Pema. Trajner: E. Gjoka

Pogradeci: Petrovski, Binishi, Miklovan, Larti, Drazhanin, G.Çekiçi, Baze (Çajku 83), Zguro (Likollari 55), A. Çekiçi, Çela, Laçka. Trajner: A. Sadikaj.

Gjyqtarë: K. Cjapi, I. Tartari, N. Rrapaj  (Fier)

Kartonë të verdhë: F. Tafaj, Baze, Çela

Kamza nuk rezervoi asgjë dje ndaj Pogradecit dhe trajneri Ernest Gjoka hodhi në fushën e lojës formacionin-tip, pasi kërkohej një fitore e thellë për tu kualifikuar në kupë. Ndërsa pogradecarët dukej qartë se këtë transfertë e kishin angari, pasi ishin të përqendruar vetëm tek ndeshja e radhës në kampionat. Kamza ka arritur një fitore tenistike 6-0 ndaj Pogradecit dhe falë golaverazhit më të mirë kamzalinjtë rreshtohen mes tetë skuadarve më të mira të Kupës së Shqipërisë.

Emocionet dhe tensioni i brendshëm dukej qartë te drejtuesit e Kamzës, pasi fati i tyre varej edhe nga ndeshja e Durrësit mes Teutës dhe Flamurtarit. I gjithë takimi i djeshëm ëshët luajtur me një portë ku tablloja ishte e qartë me një Kamëz që sulmonte me forca të shumta dhe e uritur për të shënuar sa më shumë gola. Protagonist i këtij kualifikimi ishte sulmuesi Eleandro Pema, i cili lëshoi katër kokrra në rrjetën pogradecare.

Përpos rasteve të shumta për shënim, goli i parë për kamzalinjtë vjen në minutën e 26-të, kur Pema shënon me kokë. Në minutën e 36-të kapiteni Tafaj, i ndodhur në pozicionin e duhur shumë pranë portës, e shtyn topin në rrjetë, 2-0. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë. Në të dytën vijon festivali i golave të Kamzës.

Në minutën e 52-të Belçev shënon golin e tretë. Më pas vjen një tregolësh tjetër i Pemës, që në minutat 62, 80 dhe 87 nuk e ka të vështirë të shënojë. Ky kualifikim i Kamzës është një tjetër arritje historike për debutuesit e superligës. Pogradecarët dukej qartë se ishin të pamotivuar dhe as që e kishin mendjen tek kjo përballje, pasi pas ndeshjes u tha se ata mendojnë vetëm sfidën me Skënderbeun.

Ernest Gjoka, trajner i Kamzës: Morëm atë që deshim, një fitore që na kualifikon për në turin tjetër. Natyrisht që ky është një sukses, që e kemi kërkuar që në fillim dhe me atë që kemi treguar në grup ia kemi arritur. Tani do të mendojmë për finalen, për ndeshjen e fundit të këtij viti me Tiranën, ku shpresojmë ti bëjmë një mbyllje sa më të mirë fazës së parë.

Armand Sadikaj, zv.trajner i Pogradecit: Nuk kishim synime në kupë dhe gjithë vëmendja jonë është e përqendruar në kampionat, kështu që më shumë po mendonim për takimin e së premtes me Skënderbeun. Ndaj Kamzës aktivizuam disa të rinj dhe ata që kanë pasur më pak hapësirë, kështu që rezultati nuk ka shumë vlerë për ne.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›