Apolonia kërkon të harrojë sa më parë Laçin
Mes gjithë qerthullimës dhe rrokopujës së ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur, Apolonia nuk ka lënë pas dore përgatitjet e veta, në përvijim të evenimenteve ku bardhejeshilët marrin pjesë. Kështu, duke qenë se e mërkura do të jetë dita e ndeshjes së kthimit kundër Gramozit për Kupën e Shqipërisë, bardhejeshilët janë gatitur për ti dhënë dorën e fundit kualifikimit të tyre për në turin tjetër, pasi e kanë hedhur hapin e parë në ndeshjen e parë.
Gjatë këtyre ditëve, fierakët kanë qenë protagonistë të disa ngjarjeve që kanë pasur një dinamikë të shpejtë zhvillimi, duke filluar që nga ndeshja e së shtunës me Laçin, për të përfunduar te largimi i paekuiovok i trajnerit Stavri Nica, i cili ka marrë edhe një masë disiplinore, gjë që e bën jo pa përgjegjësi për ato që ndodhën. Nëse gjykimet ndaj këtij ekipi shfaqin tendenca dëmtuese dhe se gjykime të tilla dëmtojnë imazhin e futbollit shqiptar, janë organet përkatëse që e vlerësojnë dhe ndërmarrin masa përkatëse.
Por fakti është kokëfortë. Në ndeshjen e fundit në kampionat fierakët janë të bindur se janë vjedhur, bash në shtëpinë e tyre, në Loni papuçiu. Stafi teknik, nën drejtimin e profesionistëve Dhimitër Papuçiu, Gjergj Poloska e Adrian Balla, nuk e ka ndërprerë punën dhe i ka dhënë tanimë fund përgatitjes për ndeshjen e kupës me Gramozin, madje duke menduar dhe më tej, pikërisht për takimin e fundjavës në transfertën e vështirë me bashkudhëtaren që vjen nga kategoria e parë, debutanten Kamzë.
