Ruli firmosi favorizimin duke pranuar shkeljet ne kontrate
Ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ishte plotësisht i informuar mbi mospërmbushjen e detyrimeve që kompania “ACR” kishte ndaj ligjit shqiptar të koncesioneve, votuar nga Kuvendi, por pavarësisht kësaj toleroi duke i shtyrë pagesën e gjobës. Në shkresën që mban firmën e ministrit të Ekonomisë dhe përfaqësuesit të “ACR”-së (Darfo), thuhet shprehimisht se “nga raportet e kontrollit të kryera nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ka rezultuar mospërmbushja e detyrimeve për investime të ‘ACR’ në përputhje në kushtet dhe afatet e marrëveshjes së koncesionit”. Në shkresë thuhet se METE e ka gjobitur kompaninë austriake në shumën prej 1 milionë e 600 mijë eurove, por duke u nisur nga kushtet e vështira ekonomike dhe vonesat në rimbursimin e TVSH nga Tatimet, Ruli vendos, pa miratimin e Kuvendit dhe të ministrit të Financave, Bode, për shtyrje të pagesës së penalitetit dhe planit të investimeve.
Pika 5, e shkresës me numër protokolli 5688, e datës 9 korrik, thotë se, “duke qenë se mosrimbursimi i TVSH-së nga njësia e tatimpaguesve për shoqërinë ‘ACR’ ka rënduar më tej gjendjen financiare të kompanisë, në, palët bien dakord për mënyrën e pagesës së detyrimit të parashikuar në marrëveshje”.
Me këtë vendim të marrë personalisht, Ruli vendos një standard të dyfishtë, pasi ligji për rimbursimin e TVSH i trajton të gjitha bizneset në mënyrë të barabartë.
Sipas paktit mes Rulit dhe ‘ACR’, kompania do të niste ta paguante penalitetin me këste mujore, duke nisur nga shtatori 2009. Por edhe këtu, përvçse u favorizua me shtyrje afati dhe me këste, kompanisë iu dha një tjetër lehtësi, duke e kushtëzuar pagesën e penaliteteve me shumat që do derdhin tatimet si rimbursim TVSH-je.
Në njërën nga pikat e marrëveshjes thuhet se gjoba do të paguhej me këste mujore prej 100 mijë eurosh, me kushtin nëse tatimet derdhin rimbursimin e TVSH, pra 5 ditë pas lëvrimit të shumës nga administrata tatimore.