Apolonia, padi penale për trukim 4 lojtarëve
FIER- Klubi i futbollit Apolonia ka paditur penalisht në Prokurori katër futbollistë, me akuzën e trukimit të ndeshjeve me qëllim përfitimi. Ata janë Albert Kaçi, Elton Grami, Erjon Hoti dhe Mariglen Shoshi. Në konferencën e përbashkët për shtyp të kryetarit të bashkisë së Fierit Baftjar Zeqaj, shefit të klubit Iljaz Haxhiaj dhe drejtorit të kontrollit të brendshëm në shoqërinë aksionere Apolonia, Andi Derhemi, u bë e ditur se se disponohen prova të pakundërshtueshme për këto ngjarje të rënda, sidomos për futbollistin Albert Kaçi, i cili është i përfshirë në trukimin e ndeshjes Shkumbini–Apolonia, e përfunduar 3-0 për ekipin vendas. “Ky lojtar, Kaçi, ma ka pranuar vetë, ndërsa 3 të tjerët janë të dyshuar për momentin, kështu që do të presim përfundimet që do të nxjerrë Prokuroria”, tha Haxhiaj. Ndërsa mjaft i ashpër është treguar kryetari i bashkisë dhe presidenti i klubit Baftjar Zeqaj, i cili ka bërë të ditur se ka pezulluar Albert Kaçin deri në përfundim të hetimit, ndërkohë që akuzoi edhe tifozë të lidhur me futbollistë të ekipit që merren me këto trukime. “Duhet ta kuptojë opinioni publik se askush nuk mund të shkelë mbi interesat e klubit të Apolonisë. Këta futbollistë nuk mund të vazhdojnë të bëjnë atë që kanë bërë deri tani dhe pastaj në shkallët e stadiumit të akuzohet ky apo ai kot. Janë 7 ndeshjet e fundit që ata janë përfshirë në këto trukime. Këta tifozë që ulërasin duan ca lekë dhe këto lekë këta i marrin duke vënë lloto. Por, kjo ndodh vetëm duke pasur lidhje me futbollistë brenda ekipit. Ky nuk është modeli që kërkon të ndërtojë Apolonia dhe ne do t’i çojmë këta njerëz aty ku e meritojnë. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)