E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet ambasada italiane në Teheran

TEHERAN- Sulmohet me gurë ambasada italiane në Teheran. Lajmi është konfirmuar nga ministri i jashtëm italian Franko Fratini para Senatit italian. Ai tha se milicë të veshur si civilë kanë hedhur gurë dhe kanë thirrur: “Vdekje Italisë” dhe “vdekje Berluskonit”. Media iraniane tha se protesta ka ndodhur, por nuk foli për akte dhune. Sipas Fratinit, kanë qenë rreth 100 protestues që kanë hedhur vezë e gurë në ambasadën italiane, por janë ndaluar nga policia dhe nuk janë lejuar brenda. Dëmet nuk janë të mëdha sipas Fratinit. Por protestat kanë vazhduar më pas para ambasadave franceze dhe holandeze. Tensionet në fakt janë rritur në Iran që pas rizgjedhjes se Ahmadinexhad për një mandat të dytë në detyrë. Por sulmi ndaj ambasadës italiane mund të ketë ndodhur pas mbështetjes së hapur që kryeministri italian Silvio Berluskoni i dha Izraelit gjatë vizitës së tij në lindjen e mesme dhe pas thirrjeve të tij për sanksione më të ashpra ndaj Iranit. Kompania e madhe energjitike italiane Eni ka thënë se do të tërhiqet nga Irani. Italia është partneri më i madh tregtar i Iranit në BE. Fuqitë e mëdha kanë shtuar presionin ndaj Iranit për programin e tij bërthamor, por Teherani ka shpërfillur këto thirrje duke njoftuar se ka nisur tashmë procesin e pasurimit të uraniumit me 20%.(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›