E Diel, 1 Nëntor 2026

Borshi, plazhi më i preferuar i emigrantëve

Autori i Lajmit: red.
Disa foto të mrekullueshme të gjirit të Borshit, të realizuara nga Adrian Zaka, ndodhen të përzgjedhura sot nga "Google" dhe shpërndahen në të gjithë botën tashmë për nga bukuria që afrojnë. Ndërsa disa agjenci të huaja udhëtimi e kanë përfshirë gjirin e Borshit si ndër bukuritë që mund dhe duhet të vizitohen. Dhe vërtet, Borshi të shpalos papritur një panoramë mahnitëse, ndërsa del në Qafën e Shën Thanasit, në sheshin e Mëlqinës. Prej andej, deti shtrihet i pamatë, në një gjatësi bregu prej 3.6 km, ku kaltërsia ndërron ngjyrë deri në një blu të frikshme, të distancuar përtej bregut. Parë nga lart, të duket se bashkëjetesa mes valëve, bregut, rërës së ashpër të plazhit, vazhdon e paqtë, qysh kur u krijua ky cep i mrekullueshëm natyror. Ndërsa drejt maleve, nën kalanë e Sopotit, rrëzë Picakut, gjarpëron deri në det lumi i Borshit me shtratin e tij të zalltë e të bardhë. Gjithçka zbret në fushën e Borshit, që mbetet përherë e gjelbër me jeshilen e agrumeve, ndonëse pak nga pak, e kanë nisur degradimin, edhe pse syri zhytet tek nis të çlodhet në të. Deri në fillim të viteve 90, plazhi i Borshit ishte krejt i virgjër, me parametrat që e përcaktojnë këtë: uji i detit me tejdukshmëri dhe pastërti maksimale, me një kripëzim brenda normave dhe standardeve botërore, pa ndotje mjedisi. Ndotjet nga ujërat e zeza e kanalizimet nuk ekzistonin fare, ndërsa plazhin ranor dhe zallishtor e vizitonin vetëm disa dhjetëra pushues në ato pak kabina modeste. Pas viteve 90, prishja e plazhit nisi me marrjen e rërës nga ndërtuesit e paligjshëm, kur fadromat e firmave të mëdha të ndërtimit gërryen rërën e plazhit deri në daljen e dheut të tokës. Falë kësaj masakre, sot janë krijuar moçalet e para buzë detit, që trembin studiuesit e mikrofaunës, pasi janë rrezik potencial që ndryshojnë parametrat e biodiversitetit të zonës, rrisin lagështirën dhe kripëzimin, humbin jodizimin e bregut. Ndërsa gjuetia e peshkut me dinamit, ka rralluar dukshëm peshkun e egër të detit.

Pronësia e tokës, probleme edhe në Borsh
Ndërtimet që kanë nisur së fundi në zonën e poshtme në bregdet në Borsh, trembin të ardhmen e plazhit të bukur dhe gjelbërimin e mrekullueshëm. Me probleme mbi pronësinë e tokës, që edhe këtu nuk mungojnë, së fundi, kanë nisur ndërtimet edhe në fushë, ku pa dyshim, priten portokalle dhe ullinj. Ndërsa më lart, në kodër në fshat, pyjet janë rralluar nga prerjet. Dëmi më i madh, të thonë, ka ndodhur në vendin pranë një përroi të mrekullueshëm, që borshiotët e thërasin Përroi i Kalit, ku drurët transformohen në qymyr druri… “Vlera e tokës në Borsh nuk paguhet”, - thotë Papo Lala. Në të vërtetë, sot askush nuk shet aty tokë. Nën ligjin 7501, abuzimet edhe këtu nuk kanë munguar, ndonëse banorët vendas thonë se janë munduar të ndajnë tokat sipas tapive të vjetra. Në Borsh ka pasur NB, por dhe kooperativë dhe në këtë ngërthyerje ligjesh, abuzimet nuk kanë munguar. Një pjesë e banorëve duket se ia kanë dalë të hipotekojnë tokat e tyre, por të shumtët, nuk dëshirojnë të flasin.... Vetë shitja e tokës pengohet nga moszotërimi i tapive me vlerën e vërtetë, ato të vjetrat, që janë në fakt, kundërvënie e hapur ndaj vetë ligjit 7501. Aty të tregojnë dhe një histori të vjetër, se si veprohej për shitjen e tokave në fshat, kur në vitin 1921, krypleqësia e fshatit vendosi që toka e Borshit të shitej vetëm brenda për brenda, midis borshiotëve. Ky vendim u zbatua deri në fund të vitit 1944, kur për çdo shitje vendosnin borshiotët, pronarë të tokave. Nën këtë frymë, nga viti 2001 banorët vendas ngritën një komision dhe në bashkëpunim me kadastrat e Sarandës, Vlorës, Delvinës e Gjirokastrës, vendosën të saktësonin kufijtë e Borshit me fshatrat përreth. Në përkrahje të nismës së Bregdetit, dokumentet e pronësisë, u dërgohen të gjithë borshiotëve kudo që ndodhen nëpër botë, që t u dalin për zot pronave të tyre. Prej vitesh, një grup pune punon tashmë për këtë qëllim.
Ky lajm është publikuar: 06/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›