E Diel, 1 Nëntor 2026

Duel talentesh Bala-Roshi në Shkodër

Kur Flamurtari e Vllaznia u përballën gjatë fazës së parë në Vlorë (java e 6-të), kuqezinjtë e Gugash Maganit fituan 2-0, falë dy golave të talentit 18-vjeçar Odise Roshi. Kjo ishte fitorja e parë e trajnerit Gugash Magani në bankinën e Flamurtarit dhe ndeshja e parë dhe humbja e parë e trajnerit Roland Luçi në atë Vllaznisë. Por, tani kur është zhvilluar gati gjysma e kampionatit (16 javë) e dy skuadrat notojnë ende në ujërat të turbullta, një tjetër sulmues i talentuar 18-vjeçar, Bekim Bala, ka marrë përsipër misionin e shpëtimit të Vllaznisë dhe trajnerit Roland Luçi. Thjesht, në “Loro Boriçi”, shikuesit përveç se do të asistojnë në përballjen e 138-të historike midis dy skuadrave, nga ajo e para në vitin 1930 (të fituar nga Vllaznia 2-1), do të shijojnë edhe një duel midis dy prej zbulimeve më të mëdha të këtij sezoni, Bekim Balës dhe Odise Roshit. Me pesë gola të shënuar me fanellën kuqeblu, Bekim Bala, është shndërruar në zbulimin e këtij sezoni, por lojtari i porsa thirrur nga trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, për zborin e Turqisë, mund të shndërrohet në “armën vrasëse” të trajnerit Roland Luçi, parë dhe formën në rënie të veteranit Vioresin Sinani (pritet të luajë kundër Apolonisë). Bekim Bala shënoi golin e parë të Vllazninë në fitoren kundër Teutës (2-1) të dielën e kaluar, ndëkohë që klubi më i vjetër në Shqipëri dha sinjale të forta ringjallje ndryshim kursit të pazakonshëm për një skuadër të formatit të 9-herë kampionëve të vendit. “Fitorja me Teutën ishte e rëndësishme, sepse na dha qetësinë. Prandaj jam i bindur se do të fitojmë me Flamurtarin dhe pastaj gjërat kanë për të qenë edhe më mirë për ne. Vllaznia kurrsesi nuk e meriton të jetë në fundin e tabelës”, - deklaroi Bala. Flamurtari me trepikëshin e marrë ndaj Gramozit (2-0) në Vlorë dëshmoi se ka forca për të dalë nga kriza e pjesës së parë të sezonit, por nëse situata në kampin e Roland Luçit është e qetë, në shtëpinë vlonjate atmosfera është shumë tërësisht e trazuar, nisur edhe nga “tërmeti” kuqezi, ku së pari janë larguar tre futbollistët e huaj. Slloveni Darko Djukiç (së fundi shënoi gol në fitoren 2-0 kundër Gramozit, 1 gol këtë sezon), mesfushori brazilian Flavio Junior (edhe ky shënoi kundër kolonjarëve, 1 gol këtë sezon) dhe braziliano-kroati Robert Alvizh (2 gola këtë sezon) u përjashtuan për shkak të përformancës së dobët. Disa javë më parë, Flamurtari i vendit të fundit (14 pikë në 16 javë) kishte përjashtuar sulmuesin korçar Marius Ngjela (5 ndeshje, asnjë gol) dhe mbrojtësin kroat Marko Bashiç. Flamurtari përveç fitores 3-1 kundër Tiranën në kryeqytet në javën e parë të edicionit, në ndeshjet jashtë “Loni Papuçiut” ka regjistruar edhe 2 barazime (kundër Kastriotit, 1-1 dhe Apolonisë, po 1-1), ndërkohë që ka pësuar 5 humbje (më e thella 2-0 me Gramozin në Ersekë).

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›