Apostoli konteston përbërjen e Këshilli Drejtues
02/12/2004 Deputeti Gaqo Apostoli ka kontestuar përbërjen e Këshillit Drejtues Kombëtar të Partisë Socialdemokrate. Gjatë mbledhjes së parë të Këshillit, anëtarët e së cilit u përzgjodhën nga Kongresi, janë zhvilluar debate mes kryetarit aktual të PSD-së, Skënder Gjinushi dhe Apostolit. Ish-nënkryetari i kësaj partie i ka paraqitur një kërkesë Komisionit Qendror Statutor që të bëjë rinumërimin e votave të kandidatëve që janë propozuar për në Këshillin Drejtues. Ai kërkon që brenda vitit 2004 të vendoset normaliteti statutor dhe solidariteti politik në gjithë partinë. "Vendosja e kandidaturave të bazë të preferencave të kryetarit dhe pa kontribute ka bërë që të rritet shkalla e dyshimit ndaj strukturave të PSD-së", tha Apostoili. Sipas tij, gjatë zhvillimeve të fundit janë eliminuar kandidaturat prioritare të listës dhe personalitete të njohura të socialdemokracisë. "Në listat janë zhvendosur dhe shmangur të rinj socialdemokratë dhe në mënyra tepër arbitrare janë vendosur kandidatura që dy muaj ka që i dëgjohet emri në PSD. Këto janë karriera të dyshimta, duke e komprometuar vendimin statutor që jo më pak se 20 për qind e partisë të përbëhet nga shoqe", tha Apostoli. Dje janë miratuar emrat e anëtarve të Kryesisë së PSD-së, e cila do të përbëhet nga 17 anëtarë. Gjithashtu janë përcaktuar emrat e tre nënkryetarëve duke ndryshuar strukturën drejtuese të PSD-së. Engjëll Bejtaj, Pajtim Bello dhe Ingrid Shuli janë tre zëvendësit e Gjinushit. Ndërsa sekretar i Përgjithshëm u zgjodh Rustem Preçi.