E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ pranon ndarjen zonale

02/12/2004  Socialistët paralajmërojnë rrëzimin në parlament të raportit përfundimtar të hartuar nga komisioni i posaçëm pranë KQZ për hartën e re elektorale. Ky qëndrim vjen në momentin kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me pesë vota pro dhe një kundër raportin përfundimtar të hartës së zonave, prej nga do të dalin deputetët. Grupi i ekspertëve kanë ndryshuar më shumë se 60 zona elektorale në të gjithë vendin. Ndërsa në 6 zona ka pasur reformë radikale. Rrethet Vlorë, Berat, Korçë, Dibër dhe Kukës, janë zonat që janë prekur tërësisht, pasi janë shtuar ose janë hequr njësi zgjedhore. Ndërsa në rajonet e tjerë janë bërë ndryshime në varësi të numrit të votuesve.

Reagimi

Pavarësisht se votimi në KQZ ishte unanim, seanca e djeshme nuk ka kaluar pa debate mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës. Elmaz Sherifi, përfaqësuesi i PS-së në komisionin e posaçëm ka paralajmëruar se, pavarësisht nga votimi që bëhet në KQZ, socialistët do të kenë tjetër qëndrim në parlament, ku harta e re elektorale të dërgohet për miratim. Ndarja e re zonale, sipas bashkëkryetarit të komisionit për reformën zgjedhore është antikushtetuese, pasi duhet të bëhet në bazë të listave të votuesve, dhe jo në bazë të numrit të qytetërave që kanë votuar, siç ka vepruar komisioni i posaçëm. Duke parë se socialistët së bashku me LSI-në kanë shumicën në Kuvend është paralajmëruar një tjetër përplasje mes pozitës dhe opozitës në parlament për këtë çështje. Kjo për vetë faktin se shumica e kartonave do të vendosë për këtë reformë. "Ligji i përdorur për ndarjen elektorale, është lajthitje e komisionerëve të Bipartizanit (të një viti më parë). Ndarja nuk konfiguron lëvizjen demografike të kohëve të fundit. Del se ka më shumë deputetë në zonat rurale se në zonat urbane, kjo sjell që parlamenti të mos ketë pasqyrimin real të zonave dhe votuesve", tha Sherifi. Por përfaqësuesit e opozitës janë shprehur se kjo mënyrë e të vepruarit është rekomandim i OSBE-së.

Zbatimi

Puna për përcaktimin e kufijve zonalë, sipas kryetarit të komisionit të posaçëm për këtë qëllim, Elton Kashta, ka nisur me përcaktimin e numrit mesatar të votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2003. Në ndarjen e re zonale është arritur të bëhet bashkimi i komunave, të cilat kanë qenë të ndara në zona të ndryshme zgjedhore, kufizimi i tyre me njësi vendore, bashki e komuna brenda një qarku duke eliminuar fenomenin e mëparshëm të copëtimit të një zone zgjedhore në më shumë se një Qark. Sipas Kashtës, një ndër kriteret kyç ishte caktimi i një numri mesatar, maksimal dhe atij minimimal të zgjedhësve për çdo zonë. Kjo ka shmangur diferencat e mëdha mes zgjedhësve në zona të ndryshme. Gjithsesi, pavarësisht votimit të djeshëm në KQZ, fjala e fundit i mbetet parlamentit, ku ndarja e re zonale votohet me shumicë të thjeshtë votash.

Ilirian Celibashi voton kundër

Ka kohë për miratimin, zgjedhjet janë në shtator

Vetëm kryetari i KQZ-së. Ilirian Celibashi, dha votën kundër raportit të ndarjes së re elektorale të propozuar nga ekspertët. Celibashi argumentoi se votimi kundër ka ardhur pas deklaratës të kryetarit të grupit të punës, Elton Kashta, i cili pranoi se shumë nga pikat e raportit nuk janë miratuar me konsensus të përbashkët nga pozita dhe opozita. "Përderisa nuk është gjetur konsensusi mes palëve në grupin e punës të ngritur për këtë çështje, mendoj se raporti ka vend për përmirësime", tha Celibashi. Sipas tij, shtyrjet në kohë janë brenda ligjit, dhe raporti mund të rikthehet në KQZ për ndërhyrjet e duhura. "Unë mendoj se kemi kohë që këtij projekti t'i bëhen përmirësimet e duhura, pasi edhe unë kam vërejtjet e mia për disa zona të ndryshme. E para që ndryshimi duhet të ishte bërë në 48 zona zgjedhore dhe jo në 60, dhe e dyta, projekti i paraqitur të mos ketë kontestime nga palët. Për sa i përket afatit 6-mujor, unë po e përsëris dhe një herë që kemi dhe 3 muaj kohë", tha Celibashi. Ai shtoi se dhe PD ka paraqitur mbi 45 kërkesa për ndryshim ndaj raporti duhej përmirësuar.

Gjata voton për herë të parë në KQZ

Raportit i hartës elektorale nga KQZ-ja, ka qenë votimi i parë për anëtarin më të ri të këtij institucioni, Çlirim Gjata. Ai është emëruar në këtë post nga KLD-ja, pas marrëveshjes Topi-Ruçi. Megjithëse vota e tij shkoi në favor të miratimit të ndarjes së re zonale, Gjata propozoi që në parlament të shkojnë edhe vërejtjet përkatëse për të gjitha çështjet e ngritura nga komisioni i posaçëm. "Në tërësi jam dakord me raportin që na është paraqitur për miratim, por mendoj se do të ishte e vlefshme që së bashku me raportin për ndarjen e re të zonave zgjedhore në parlament të shkojnë edhe vërejtjet e anëtarëve të KQZ-së për këtë çështje", tha Gjata. Në mbledhjen e djeshme mungonte anëtari tjetër i KQZ-së, Pandeli Varfi, ndërsa bashkë me përfaqësuesit e opozitës pro ndarjes së re elektorale votuan dhe dy anëtarët e KQZ-së, të propozuar nga maxhoranca Tomor Malaj, dhe Dëshira Subashi.

Komisioni i posaçëm ndryshon zonën elektorale të Monika Kryemadhit,

LSI pro PS-së për rrëzimin e raportit

Raporti përfundimtar i miratuar dje në KQZ për ndryshimin e zonave zgjedhore ka bashkuar në një qëndrim të përbashkët PS-në me LSI-në. Të dyja forcat politike, rivale brenda së majtës, kanë qenë dje të një mendimi që harta e zonave zgjedhore të mos ndryshojë pa përfunduar listat e zgjedhësve. Përfaqësuesi i LSI-së në KQZ, shfaqi qëndrimin e tij kundër ndryshimeve që paraqet raporti, duke e cilësuar antikushtetuese. Kjo është hera e parë kur socialistët dhe përfaqësuesit e LSI-së dalin me të njëjtin qëndrim. "Unë propozoj që raporti përfundimtar, i hartuar nga grupi i posaçëm i punës, të shtyhet për një kohë të caktuar, pasi të jenë marrë parasysh edhe qëndrimet e forcave politike për këtë çështje, pasi janë vënë re dhe defekte në hartimin e tij", tha përfaqësuesi i LSI-së. Në raportin përfundimtar të komisionit të posaçëm, ndryshime ka pësuar edhe zona 42, në të cilën në zgjedhjet e kaluara ka kandiduar Monika Kryemadhi. Gjatë ndryshimeve disa prej lagjeve që përfshiheshin në këtë zonë i kanë kaluar njësive të tjera. Sipas përfaqësuesve të LSI-së, kjo ndarje mund të sjellë amulli gjatë zgjedhjeve të ardhshme. "Eshtë e pakuptueshme që përse banorët e lagjeve që kanë votuar historikisht në këtë zonë, duhet që t'i drejtohen një lagjeje tjetër për të votuar", tha përfaqësuesi i LSI-së në KQZ.

Ndryshimet

Kukës, nga 3 deputetë do të ketë 4

Dibër, nga 5 deputetë do të ketë 6

Korçë, nga 9 deputetë do të ketë 10

Vlorë nga 9 deputetë do të ketë 7

Berat, nga 7 deputetë do të ketë 6

Tabela e shpërndarjes së zonave për çdo rreth

Shkodër 8 deputetë

Kukës 4 deputetë

Lezhë 5 deputetë

Dibër 6 deputetë

Durrës 8 deputetë

Tiranë 19 deputetë

Elbasan 11 deputetë

Fier 12 deputetë

Berat 6 deputetë

Korçë 10 deputetë

Gjirokastër 4 deputetë

Vlorë 7 deputetë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›