Tirana per fillestaret
03/12/2004 Edi Muka
Tirana për "fillestarët"
Vetëm para disa ditësh, artisti Edi Muka u kthye pas një "turneu" pune në disa shtete evropiane, si Zvicra, Suedia, Italia, etj. I ftuar në Akademitë e Arteve të shteteve përkatëse, për të shpënë një mendim nga Shqipëria, në lidhje me ndikimin e "investitorëve" të huaj në "zhvillimin" e artit në një vend si i yni, ku mundësitë për të qenë i pavarur ekonomikisht janë ende të pakta. Në thelb, kumtesa e tij ishte një reflektim për atë çka ndodhi me Bienalen e parë të Tiranës, si rasti i një "neokolonializmi" në art dhe jo vetëm, pasi shtrihet edhe më tej "në tregun gjigand botëror, ku kompanitë përpiqen në thelb të shesin emrat dhe më pas produktin". Duke folur për "Metropol", Muka shpjegon odisenë e "Bienales foshnje", si edhe rrezikun që përbën për artin në përgjithësi dhe për artin shqiptar në veçanti, sistemi "Branding or producing?" (Të shesësh apo të prodhosh?)
Një kumtesë që do ta titullonit "Tiranë për fillestarët" dhe me nëntitull "Udhëzues i shkurtër mbi një Bienale foshnje"...
Ishte një përvojë e hidhur që të gjithë kanë të drejtën ta njohin, jo për faktin se kjo ndodhi në Tiranë, por se mund të ndodhë kudo apo të rindodhë përsëri në Tiranë. Vetë Bienalja e Tiranës mund të konsiderohet si pjesë e diskursit të sotëm post-kolonial, megjithëqë më shumë se nga një kolonizim i mirëfilltë, Shqipëria vuajti nga një vetizolim i ashpër. Pasoi një emigracion, me dashje apo padashje, me largimet masive e të shpërfytyruara që prodhoi një imazh negativ. Dikush mund të pyes: "Po ç'lidhje ka e gjithë kjo me Bienalen e Tiranës xhanëm?". Në pamje të parë duket sikur janë dy gjëra krejt pa lidhje, por, në të vërtetë, arti bashkëkohor shqiptar është veçse një pjesë e të njëjtit shpërthim energjie. Ky art tërhoqi vëmendjen në fund të viteve '90, duke shënuar një ndërrim kuptimplotë të drejtimit të fluksit të energjisë, i cili deri në këtë moment kish prodhuar vetëm shembujt negativë. Fundi i viteve '90 dëshmoi daljen e një gjenerate të re artistësh shqiptarë, me interesa dhe aftësi për të adoptuar dhe përdorur sisteme gjuhësore dhe stilistike bashkëkohore si dhe të pasuronin problematikën e artit të sotëm. Ndërsa, kjo gjeneratë u zhvillua me një shpejtësi mahnitëse, e kushtëzuar nga dëshira për të kapur kohën e humbur dhe për të mbyllur boshin e krijuar përgjatë viteve të gjata të izolimit, në realitet ishim dhe jemi tepër larg nga një sistem i integruar arti.
Si u prezantua rreziku i "neokolonializmit" në Bienalen e parë?
Me një histori tepër të shkurtër (vetëm 2 edicione, pra, vetëm 3 vjet jetë), Bienalja e Tiranës, përveçse një domosdoshmëri, pati një zhvillim çuditërisht intensiv, i cili e bën në një rast interesant studimi në lidhje me marrëdhëniet e pushtetit në artin e sotëm bashkëkohor. Kjo, sidomos për arsye se Bienalja e parë lindi dhe u organizua në bashkëpunim me revistën e artit "Flash Art", e cila në atë kohë përjetoi një ringjallje të interesit të tyre të kahershëm, për t’u përfshirë në organizimin e ekspozitave dhe Bienaleve. Më e vjetra ndër to, Bienalja e Venecias, u lind dhe ende funksionon jo vetëm si ngjarja më e rëndësishme e artit në botë, por, gjithashtu, edhe si shansi më i madh që i ofrohet tregut të artit njëherë në dy vjet. Në ato momente, ne po përballeshim me një lloj kontradikte, atë të të qenit shumë të suksesshëm jashtë Shqipërisë, duke nxjerrë një numër jo të vogël artistësh tepër cilësorë, ndërkohë që ishim të paaftë për t’i mbështetur si ata, por dhe një vazhdimësi të asaj praktike që ata po krijonin në vendet ku kishin emigruar, me artistë të rinj brenda vendit. Në fillim na dukej pak e çuditshme përse dhe cilat ishin arsyet që shtynë partnerët tanë të ndërmerrnin këtë aventurë të Bienales së Tiranës. Mendimi im ishte se Tirana ishte skena perfekte për interesin e ringjallur të "Flash Artit" në organizimin e ekspozitave. Por, më pas, duke menduar me qetësi, mund të kuptosh se kontributi dhe interesi i tyre primar do të ishte botimi i një katalogu, tepër të bukur, në fakt, me shpërndarje ndërkombëtare të garantuar. Tek e fundit, vetë "Flash Arti" është një botim i shtëpisë "Giancarlo Politi Editore" dhe në kushtet e tregut të sotëm, gjithkush ka nevojë të rikrijohet vazhdimisht me qëllim që të mbetet i shitshëm. Kështu, u shfaq slogani i "të bërit të ngjarjes më të madhe të artit me sasinë më të vogël të parave" dhe, gjithçka po funksiononte sipas logjikës së tregut post-industrial: vetë Bienalja nuk kish shumë rëndësi, ishte katalogu ai që do të merrte peshën kryesore dhe pothuajse do të zëvendësonte vetë Bienalen. U zhvillua sipas motos së famshme të korporatave “Brands no Products” (Të "shesësh", jo të prodhosh). Duke zëvendësuar ekspozitën me katalogun, ata ishin të interesuar ta "brandonin" atë në njëfarë mënyre. Eshtë shumë më e lehtë të "brandosh" një objekt të vogël, siç është një libër, i bërë me shumë kujdes dhe i integruar, ndërkohë në të gjitha sistemet e tregut dhe të identifikosh Bienalen me të, sesa të përpiqesh të integrosh një gjë të madhe, siç është një ekspozitë me rezultat jo shumë të parashikueshëm, me shumë përgjegjësi dhe për më tepër me lidhje ndaj një vendi të caktuar, i cili mund ta kushtëzonte përgjithmonë atë, paçka se sa e rëndësishme ishte Bienalja për atë vend.
Në fakt, çfarë prodhoi "brandimi" në Bienalen foshnje?
Po ju përgjigjem pak a shumë me fjalë të kumtesës që mbajta për kolegët e huaj. Ky fakt shkaktoi edhe krizën e interesave dhe qëndrimeve mes nesh si organizatorë të aktivitetit. Për ne, të paditurit në rregullat e tregut post-industrial, ekspozita ishte gjithçka, shembulli më i rëndësishëm që tregonte se ne vërtet mund "të bënim një ngjarje të madhe me pak para", një rast i shkëlqyer për artistët e rinj vendas të njiheshin dhe të punonin së bashku me artistët e ftuar; një mundësi për t’i sjellë njerëz në Tiranë dhe t’i joshnim ata të ndërvepronin me qytetin; ishte rasti dhe mundësia për të ndryshuar imazhin e vendit tonë, të qytetit dhe njerëzve të tij, nga një imazh i tmerrshëm në atë ç’ka është në të vërtetë, një rast për të lidhur artin me jetën, për të patur një produkt, i cili më pas mund të "marketohej" përmes katalogut. Për partnerët tanë, ekspozita në vetvete nuk kish shumë rëndësi; ata insistuan shumë që artistëve të mos u premtohej pothuajse asgjë në lidhje me kushtet e ekspozitës dhe prodhimit të punëve, sepse kjo do ishte një "bienale ndryshe" dhe, gjithkush duhej të sillte "art xhepi"; edhe nëse artistët nuk do t’ia dilnin të vinin në Tiranë apo të mos dërgonin punët, nuk "përbënte" problem, pasi ata do të vendoseshin gjithsesi në katalogun me shpërndarje ndërkombëtare dhe, kjo ishte më e rëndësishmja. Unë besoj se katalogu dhe ekspozita kanë një marrëdhënie të ndërvarur, dialektike me njëri-tjetrin dhe, njëri nuk mundet kurrsesi të zëvendësojë tjetrin. Kur botimi (dëshmuesi), zëvendëson vetë aktivitetin, ose e thënë ndryshe reklama zëvendëson produktin dhe, për rrjedhojë edhe vendi (Tirana), që presupozohet të jetë shkaku i ardhjes në jetë të aktivitetit, në këtë rast kthehet në një lloj "zone të lirë", ku Bienalja është vetëm një lloj getoje, një "punishte alla Maquilladora", ku artistët sillen me "artin" e tyre të xhepit.
Përse "Bienalja foshnje" përbën një rrezik aktual për këdo?
Për vetë faktin se, kur Bienalja e parë e Tiranës përfundoi dhe ne kishim humbur kontaktet me ish-partnerët tanë, papritur dëgjojmë lajmin mahnitës se "Flash Arti" po organizonte "Bienalen e Tiranës në Pragë". Pa denjuar aspak të na dërgonin qoftë edhe një rresht për njoftim, "Flash Arti" shpërndau njoftimin e organizimit të Bienales së Tiranës në Pragë, pasi botuesi i Flash Artit "e kish ezauruar përvojën e tij me Tiranën". Situata ishte bërë papritmas tepër interesante: do të kishim dy Bienale të Tiranës. Pra, na ishte kthyer në një lloj virusi që mund të përhapej kudo, pa e vrarë shumë mendjen për vendin ku do shkonte dhe çfarë do të gjente atje. Të paktën, ne arritëm pas një beteje të ashpër të merrnim prapa emrin tonë, pasi, në fakt, "Tiranës" tjetër në Pragë iu desh të dorëzohej. Bienalja e Tiranës për ne kish patur një pikënisje krejt tjetër. Pikërisht, kjo do të ishte për ne arsyeja e të qenit (raison d’etre) i Bienales së Tiranës, duke ditur që kjo do të ishte e vetmja mënyrë se si ne mund të ndërtonim një strukturë që do të përcillte jehonën e zërit të ri që kërkonte të dëgjohej, zërit të një skene të re në lindje, qytetit dhe njerëzve të tij. Ndoshta, "Tirana Bienale 2" nuk ia doli të tërhiqte një numër aq të madh të turmës artistike ndërkombëtare, si ajo le të themi e Venecias, Manifestës apo Stambollit, por, megjithëse, ne do të donim shumë të kishim vizitorë nga ai grup, nuk e kemi patur si prioritet të punës tonë. Pa dyshim, ai nuk ka shpërndarjen ndërkombëtare të të parit, por jehona e vetë Bienales e zëvendësoi këtë mungesë.
Cili ishte reagimi i kolegëve të huaj ndaj kësaj eksperience "mbresëlënëse"?
Me kënaqësi mund t'ju them se reagimi ishte jo vetëm i menjëhershëm, por edhe i gjithanshëm. Konstatova se kjo eksperiencë "mbresëlënëse" kishte patur një efekt direkt te të pranishmit. Për këtë më bindi një e-mail, që më erdhi para disa ditësh nga një artist australian, i cili kishte qenë prezent gjatë referimit tim në Zvicër, ku shprehte dëshirën për të ndihmuar në të gjitha mënyrat, pa ndërhyrë aspak në mënyrën e organizimit që do të përzgjidhnim ne. Besoj se ky fakt flet shumë.
Intervistoi: Leonard Olli
(BOX)
Epilogu i një kumtese...
... Duke parë sa më sipër është e qartë se Tirana nisi dhe mbetet një Bienale "ndryshe", pa fonde dhe me ambicie të tjera nga ato të bienaleve të mëdha dhe, ndoshta ende jashtë strukturave dhe sistemeve të tregut, që do ta "brandonin" dhe do ta "shisnin" më mirë atë. Por në vend që ta konsideroj këtë një pikë të dobët, unë e shoh si potencial që e bën atë të ndryshme, të freskët dhe disi të veçantë nga ngjarje të tjera të natyrës së saj. Unë nuk mund të parashikoj se për sa kohë ajo do t’ia dalë të mbetet e "lirë", nëse ky term mund të aplikohet në këtë kontekst. Unë, madje, nuk e di nëse do t’ia dalim mbanë ta organizojmë sërish atë; por unë vërtet shpresoj dhe uroj që ajo të rishfaqet çdo dy vjet, me të njëjtën forcë dhe energji që bënë të mundur ardhjen e saj në jetë.
Edi Muka