Moisiu fton Presidentin serb në Shqipëri
02/12/2004 Presidenti i Republikës bëri të ditur dje se, pas një jave, Shqipëria pret në Tiranë pesë Presidentë të rajonit, përfshi edhe Presidentin e Federatës Serbi-Mali i Zi, në një Samit të Evropës Juglindore mbi dialogun ndëretnik dhe ndërfetar. Në fjalën e mbajtur në Samitin e Shoqatës së Atlantikut tha se këto zhvillime tregojnë për ndryshimet e mëdha në Ballkan dhe vullnetin për të vazhduar bashkëpunimin në zgjidhjen e problemeve që akoma ekzistojnë. Gjithashtu, Moisiu vlerësoi se NATO përballoi me sukses Luftën e Ftohtë dhe më pas procesin e transformimit, duke u zgjeruar dhe shndërruar në aleancën më të fuqishme politike e ushtarake në histori. "Ne shqiptarët do jemi gjithmonë mirënjohës ndërhyrjes së saj në Kosovë. Një operacion ky i suksesshëm që hapi një epokë të re të angazhimit të saj në mbrojtje të paqes, humanizmit dhe vlerave të qytetërimit. Historia e suksesshme e NATO-s në Kosovë lipset të mos lihet në mes të rrugës, por të çohet deri në fund, duke përcaktuar pa vonesë statusin final të Kosovës, i cili do të mbyllë kapitullin e hidhur të luftrave ndëretnike në ish-Jugosllavi dhe të nacionalizmit agresiv e pa të ardhme në epokën e demokracisë. Dëgjojmë shumë variante për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Ne mendojmë se nuk ka më vend për eksperimente dhe shtyrje pa fund. Janë banorët e Kosovës, ata që duhet ta thonë fjalën përfundimtare", tha Moisiu. Nga ana tjetër, ai tha se, ndonëse Shqipëria zë një vend modest në hartën e sigurisë, jemi përpjekur me të gjitha mundësitë tona për t’i kontribuar asaj. "Në të gjitha operacionet e NATO-s në rajon i kemi mbështetur ato me të gjitha kapacitetet tona.
Me përpjekje e vullnet po ndërtojmë urat e mirëkuptimit me fqinjët tanë dhe vende të tjera të rajonit, përfshirë edhe ato me të cilat kemi patur probleme të vjetra e të reja në histori", tha kreu i shtetit shqiptar.
Me përpjekje e vullnet po ndërtojmë urat e mirëkuptimit me fqinjët tanë dhe vende të tjera të rajonit, përfshirë edhe ato me të cilat kemi patur probleme të vjetra e të reja në histori", tha kreu i shtetit shqiptar.