E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakete Fiskale per biznese te vecanta

02/12/2004  Paketa e ndryshimeve ligjore që propozon qeveria për të ndërhyrë në legjislacionin fiskal në ndihmë të buxhetit të vitit 2005 duket se është përgatitur vetëm për të ndihmuar disa biznese të veçanta, apo për të ndihmuar klasën e pasur të biznesit në përgjithësi. Qeveria e një maxhorance politike të majtë duket se ka harruar plotësisht që ka ardhur në pushtet me votat e shtresave në nevojë të popullsisë, si punëtorët, fshatarët, biznesi i vogël, mësuesit, pensionistët apo invalidët. Kjo paketë fiskale nuk ka asnjë ndërhyrje ligjore cilësore që mund të ndikojë sadopak në përmirësimin e nivelit të jetesës së shtresave në nevojë të popullsisë.

Në këtë paketë ulen tarifa doganore apo akciza për lëngje frutash, ujë, parfume, karburante, apo mallra të tjerë, duke lehtësuar masën e detyrimeve të disa importuesve të mëdhenj, por pa asnjë efekt në uljen e çmimeve të këtyre produkteve për konsumatorët. Nëse ulja e tarifave nuk ndihmon konsumatorët dhe ka efekte negative në buxhetin e shtetit, atëherë pse bëhen këto ndërhyrje?

Këtu ulet tatim-fitimi për bizneset nga 25 në 23% me pretekstin se do të lehtësohet barra fiskale mbi firmat, ndërkohë që tatim-fitimi do të vazhdojë të kërkohet paradhënie në mënyrë arbitrare nga zyrat e tatimeve. Të gjithë bizneset janë të sigurtë që zyrat e tatimeve do t'u kërkojnë atyre më shumë tatim-fitimi se në 2004, pa marrë aspak parasysh që është bërë një ndërhyrje në ligj që ul vlerën e tatim-fitimit. Nëse tatim-fitimi kërkohet arbitrarisht nga organet tatimore në vlerat që dëshirojnë ata, pa pasur asnjë mënyrë të vlerësimit korrekt të fitimit, kjo ulje nuk sjell asnjë lehtësim të barrës fiskale mbi bizneset. Nëse tatim-fitimi vazhdon të paguhet parapagim, bizneset nuk kanë asnjë siguri në zbatimin e ligjit apo në objektivitetin e organeve tatimore.

Në paketën fiskale ka kthim mbrapa në procesin e decentralizimit të pushtetit vendor, sepse taksa vendore mbi biznesin e vogël, që do të fillonte të mblidhej nga pushteti vendor në 2005, propozohet të anulohet dhe të mbetet në përgjegjësi të zyrave tatimore pa afat.

Edhe ndonjë element pozitiv, që kishte paketa fiskale, si vendosja e TVSH për shitjet e para në ndërtimet e reja, duket se nuk do të realizohet, sepse qeveria u tërhoq përpara presionit të bosëve të ndërtimit.

Disa ndërhyrje të tjera në sistemin e taksave si taksa e re për automjetet me naftë prej 30%, tentojnë të ndihmojnë në mbrojtjen e ambientit dhe zvogëlimin e përdorimit të mjeteve motorike me naftë, por masa e lartë e kësaj takse godet përdoruesit e këtyre mjeteve. Mjetet me naftë zakonisht përdoren nga ajo pjesë e popullsisë që nuk përballojnë kostot e mjeteve luksoze me benzinë dhe gjithashtu nga bizneset e vogla. Kjo taksë dëmton këto shtresa të popullsisë dhe rëndon buxhetin e tyre dhe për këtë qëllim do ishte më mirë që kjo taksë të futej fillimisht në masën 20% dhe të ngrihej gradualisht çdo vit, mbase deri në 40%.

Edhe ndërhyrjet që bëhen në ligjin për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore synon të bëj më të lehtë punën për mbledhjen e kontributeve, por vështirëson pagesën e përfitimeve nga njerëzit në nevojë. Organet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore do të mbledhin kontributin dhe nuk do zbresin masën e përfitimit. Kjo masë duhet të kërkohet nga përfituesit me procedura jo pak burokratike dhe sigurisht do rrisë vërdallisjet e tyre nëpër zyra të shtetit.

Shumë ndërhyrje ligjore bëhen tani për të hyrë në efekt në vitin 2006, duke nxitur dyshimin që këto masa merren vetëm për demagogji dhe për t'u shfrytëzuar si avantazhe elektorale nga qeveria, e cila nuk ka detyrim t'i zbatojë ato gjatë vitit 2005. Për shembull vendoset që biznesi i vogël të mos ketë nevojë të regjistrohet çdo vit në zyrat tatimore por vetëm vitin e parë. Kjo masë fillon në vitin 2006. Nëse qeveria dëshironte të ndihmonte biznesin e vogël, ajo duhet të ulte arbitraritetin dhe egërsinë e saj mbi këto biznese. Vetëm në këto muaj të 2004, taksa e biznesit të vogël është vjelë 107%, me mjete dhune dhe arbitrare. Rreth 910 milionë lekë më shumë se plani janë arkëtuar nga biznesi i vogël, në një kohë që deficiti në mbledhjen e të ardhurave nga qeveria në 2004 është 12 miliardë lekë, të ardhura që nuk janë mbledhur nga bosët e kontrabandës dhe korrupsionit. Qeveria nuk ka pse i merr biznesit të vogël më shumë se duhet, dhe nuk duhet të godasë këtë biznes që mban të punësuar 70% të popullsisë, për të kompensuar lëshimet korruptive që i bëhen bosave të mëdhenj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›