Aprovohet bonusi i strehimit për 34 familjarë
Për 34 familjarë, të cilët kanë mbetur të pastrehë si pasojë e zbatimit të planeve rregulluese të bashkisë, realizimit të projekteve të ndërtimit të objekteve me funksion publik, por edhe vendimeve gjyqësore, Këshilli Bashkiak ka aprovuar dje bonuset e strehimit. Nga ky program kanë përfituar shumat prej 7 mijë, 8 mijë dhe 9 mijë lekësh në muaj hallexhinjtë e mbetur të pastrehë. Në listën me emrat e përfituesve, që mundën të plotësonin dokumentacionin e saktë përfshiheshin banorët që u dëmtuan nga zbatimi i projektit të "Sistemimit të shtratit të Lanës dhe ndërtimit të rrugëve paralele të saj". Po kështu do të trajtohen me këto pagesa mujore edhe familjet e prekura nga zbatimi i projektit "për ndërtimin dhe rehabilitimin e shkollave të Tiranës". Të përfshira janë edhe familjet banuese në ish-hotel Adriatik, dhe familjarët e mbetur të pastrehë, si pasojë e rikonstruksionit të çerdheve. Nga ky program do të përfitojnë edhe familjet e prekura nga projekti "Trajtimi i mbetjeve urbane të qytetit të Tiranës në fushën e Sharrës", të cilët kanë aplikuar për t‘u trajtuar nga programi i bonusit të strehimit.