Unaza e Madhe, pranohet marrja e kredisë 20 milionë euro
Këshilli Bashkiak ka pranuar përmes votës pro marrjen e një kredie prej 20 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila do të shërbejë për financimin e ndërtimit të segmentit jugor të Unazës së Madhe të Tiranës. Kjo shumë do të ketë një afat maturimi 15-vjeçar dhe një normë interesi euribor plus marzhin 4.5%-6.5%. Por në rast se kredia do të merret nga Bashkia e Tiranës me garancinë e qeverisë qendrore, atëherë do të aplikohen kushtet standarde të BERZH dhe një normë interesi mjaft e leverdishme, vetëm euribor plus marzhin 1%. Unaza e Madhe konceptohet si një nga arteriet kryesore të sistemimit rrugor të Tiranës në planin aktual rregullues në fuqi i vitit 1989. Ndërtimi i një pjese të Unazës që lidh rrugën e Durrësit me atë të Kavajës me gjatësi rreth 2.2 km është përfunduar në vitin 1999. Në këtë investim të financuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve janë lënë të papërfunduara sistemi i kullimit të ujërave, trotuaret, ndriçimi dhe gjelbërimi rrugor. Pjesa e Unazës së Madhe që do të financohet si fazë e dytë e projektit fillon në kryqëzimin e Rrugës së Kavajës deri në atë të Rrugës së Elbasanit.