E Diel, 1 Nëntor 2026

Porti i Vlorës, prej 5 ditësh pa energji

 

VLORE - Mungesa e energjisë elektrike zhyt në terr pikën e kalimit kufitar të portit të Vlorës dhe vështirëson punën në kalatën portuale të përpunimit të pasagjerëve dhe të mallrave. Sipas përfaqësuesve të pikës së kalimit kufitar të portit, energjia elektrike është ndërprerë që prej 5 ditësh. Për pasojë është vështirësuar puna normale në këtë pikë kalimi për të kryer përpunimin e pasagjerëve, kryesisht emigrantë dhe turistë, numri i të cilëve është shtuar ndjeshëm edhe për shkak të sezonit. Por me gjithë situatën e krijuar, mësohet se për kontrollin e pasaportave dhe të dokumenteve të tjera është punuar me gjenerator deri sa përfundon procesi. Më pas gjeneratori fiket dhe territori i portit ngelet sërish në errësirë. Drejtues të ndërmarrjes elektrike të Vlorës deklaruan se ndërprerja e energjisë prej 5 ditësh është bërë për shkak të dëmtimit të një kablli për rreth 200 metra në brendësi të zonës së portit. Të njëjtat burime pohuan se energjia do të mungojë edhe ditën e sotme, për shkak të punimeve që po bëhen për të normalizuar situatën. Ndonëse edhe më parë është tentuar të riparohet, sërish kanë ndodhur defekte për shkak se kablli ishte tejet i amortizuar. Përfaqësues të elektrikut bënë të ditur se në kabinën e portit shkojnë dy linja, 60 kv dhe 20 kv. Kjo bëhet për të garantuar energji të pandërprerë, por sërish defekti nuk e ka evituar dot ndërprerjen e energjisë. Pa drita kanë mbetur prej pesë ditësh edhe disa familje, të cilat furnizohen nga kabina e portit.                q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›