E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rimbursimi i TVSH-së,tani brenda një muaji

 

Tatimorët duhet t’i rimbursojnë biznesit TVSH-në brenda një muaji, në rast të kundërt biznesit i lind e drejta që të mos paguajë më asnjë detyrim fiskal ndaj qeverisë deri në momentin e rimbursimit të kësaj takse. “Vendosim që TVSH-ja të rimbursohet brenda një muaji. Parimi ‘silence is consent’ në këtë rast ka këtë kuptim: në rast se brenda një muaji autoriteti tatimor nuk ka rimbursuar TVSH-në, sipërmarrësit i lind automatikisht e drejta për të mos derdhur taksat e tjera. Ai do të mbushë formularin, do ta nisë, por nuk do të derdhë gjë gjer në shumën e TVSH-së. Pra, nis përfitimi i saj”, u shpreh Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë. Në fakt ky ka qenë edhe një ndër premtimet elektorale të Partisë Demokratike. Vetëm një muaj më parë, gjatë një takimi me shoqatat e bizneset, zyrtarë të Ministrisë së Financave deklaruan se gjatë mandatit të ardhshëm qeveria do të vendosë se nëse biznesit nuk i rimbursohet TVSH-ja, atëherë ai ka të drejtë të mos paguajë më asnjë lek për arkën e shtetit deri në momentin e rimbursimit të TVSH-së. Rimbursimi i tatimit mbi vlerën e shtuar nga organet tatimore ka qenë gjithnjë një problem i ngritur shpeshherë nga biznesi. Në takimet e organizuara me përfaqësues të qeverisë, biznesmenët janë ankuar se rimbursimi i TVSH-së kryhet me ritme tepër të ngadalta. Por me vendimin e marrë së fundmi nga qeveria demokrate, thuhet se biznesi do ta ketë shumë më të lehtë të marrë rimbursimin e TVSH-së. Kjo, pasi tatimorët nuk do të mund të vjelin më taksat e tjera që i detyrohet biznesi arkës së shtetit deri në momentin që do t’u rimbursohet taksa e tatimit mbi vlerën e shtuar. Për kryeministrin Berisha ky vendim shndërron në ligj një nga premtimet elektorale. “Ky ka qenë një premtim shumë i goditur dhe kjo i jep fund një herë e mirë arbitraritetit të shtetit, i cili duhet të jemi realistë nuk ka qenë i ekzagjeruar, por nuk duhet të ekzistojë dhe nuk mund të themi se nuk ka ekzistuar”, ka deklaruar ai gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›