E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aquilani, dështimi më i madh në Angli

Ueb faqja e specializuar imscouting.com, në pritje të afatit kalimtar për sezonin e ri 2010-2011, e ka publikuar listën e ‘gjuajtjeve’ më të këqija të verës së kaluar në Angli. Pozita e parë i takon italianit Alberto Aquilani, i cili shkoi te Liverpool për ta mbushur hapësirën e lënë nga Xabi Alonso.

Ish futbollisti i Romës mbeti pa luajtur për një pjesë të mirë të sezonit për shkak të lëndimit, ndërsa kur u kthye, nuk ishte ai i parë në Serie A. Pozita e dytë dhe e tretë është rezervuar për blerjet e Manchester Cityt: Roque Santa Cruz e Joleon Lescott. Sulmuesi paraguaian ka qenë gjithashtu i lënduar, ndërsa pati një Botëror jo dhe aq të mirë.

Ai mund ta ndërrojë mjedisin për të mirën e tij dhe të Citizens. Kurse mbrojtësi Lescott, i paguar 22 milionë funte, nuk ka ofruar paraqitje për t’i arsyetuar paratë e derdhura për të. Vendi i katërt i klasifikimit të imscouting.com i përket Fraizer Campbell, të cilin Manchester United e shiti te Sunderland për 5,5 milionë funte.

Futbollisti ofanziv i krahut nuk kënaqi dhe aq shumë ekipin e menaxherit Steve Bruce. I pesti në klasifikim është Michael Owen, të cilin Alex Ferguson dëshironte ta rikthente në formën e tij të dikurshme te United. Përkundër disa paraqitjeve të mira, ish futbollisti i Liverpoolit dhe i Real Madridit nuk ka bindur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›