E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liga e Kampionëve, me 5 gjyqtarë

FIFA e ka miratuar vendimin e UEFA-s për t’i vendosur gjyqtarët afër golit në Ligën e Kampionëve për dy sezonet e ardhshme. Inkuadrimi i gjyqtarëve shtesë ishte bërë i ditur nga UEFA në muajin maj, për kompeticionin elitar të klubeve dhe për kualifikimet e Euro 2012.

Ndërkaq, në mbledhjen e Bordit të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) të Cardiff, të mërkurën, këtij vendimi i është dhënë drita e gjelbër. Kjo lëvizje ka qenë e suksesshme si sistem i përdorur në Europa League së fundmi, ndërsa do të vazhdojë edhe vitin që vjen. Ky ndryshim parasheh referat tradicionalë, dy gjyqtarë të vijës (afër portave) dhe gjyqtarin e katërt zyrtar.

Në pozitën e tyre, gjyqtarët shtesë do ta ndihmojnë gjyqtarin kryesor që të vendosë për penallti (është apo nuk është) dhe kur topi futet apo jo në rrjetë. Argumenti i këtij ndryshimi ishte hapur në Botërorin 2010, kur Frank Lampard shënoi një gol të pastër, por që nuk u pranua pasi gjyqtarët nuk e vërejtën që topi e kishte kaluar vijën, në humbjen e anglezëve 4:1 nga Gjermania.

Ndërkohë, FIFA ka konfirmuar se nuk ka diskutuar rreth përdorjes eventuale të video-teknologjisë në fushë. Për këtë çështje, ky institucion do të diskutojë në takimin tjetër gjeneral të kësaj organizate, në muajin tetor.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›