Arabia Saudite njeh zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur
Pavarësia e Kosovës është njohur dje zyrtarisht edhe nga Arabia Saudite. Në përputhje me lidhjet religjioze dhe kulturore me popullin e Kosovës dhe në shenjë respekti për vullnetin e popullit të Kosovës për ta fituar pavarësinë, Mbretëria e Arabisë Saudite njoftoi për njohjen e Republikës së Kosovës dhe shpreson që ky zhvillim do të kontribuojë pozitivisht në përmirësimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, si dhe vendeve të saj fqinje", i tha një burim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Arabisë, Agjencisë së Lajmeve Shtetërore të Arabisë Saudite që u citua dje nga "Express" në Prishtinë. Arabia Saudite është shteti më i madh i regjionit të Azisë Jugperëndimore. Po ashtu është edhe shteti që ka një ndikim shumë të madh në atë regjion. Autoritetet kosovare gjetën rastin të përshëndesin hapin më të fundit të Arabisë Saudite, që e rriti më tej numrin e shteteve që kanë njohur Kosovën shtet të pavarur. Një përshëndetje për këtë veprim autoritetet e Arabisë Saudite morën edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.