E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Rehn: Vetëm ata që plotësojnë kushtet do të përfitojnë

Olli Rehn përsëriti dje në Bruksel se liberalizimi i vizave me vendet e rajonit mund të realizohet nga fundi i vitit 2009, vetëm për ato vende që plotësojnë kushtet. Rehn i shtoi një tjetër vend listës pozitive, duke deklaruar se Serbia ka shanse ta arrijë këtë gjë nëse plotëson kushtet, përtej rastit të Maqedonisë që ishte deklaruar më parë se mund të ketë këtë fat. Gjatë një konference për shtyp, pas takimit që zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, i pyetur nga "Alsat" për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bosnjën, komisioneri u përgjigj se çdo vend do të trajtohet duke u bazuar në meritat individuale. "Të gjitha vendet nisin me shanse të barabarta dhe ne aplikojmë të njëjtin nivel masash. Do të varet nga vendet përkatëse në Ballkan, nëse secili prej tyre, bazuar mbi meritat individuale, do të plotësojë kushtet, siç janë pajisja me pasaporta biometrike, garantimi i sistemit të sigurisë së integruar të kufijve, por edhe çështje të tjera të rëndësishme për sigurinë e brendshme të Bashkimit Evropian", u shpreh Rehn. Vetëm pasi të jemi bindur ne të komisionit, vijoi ai, atëherë mund të bindim ministrat e Brendshëm të BE-së dhe mund të presim që Këshilli të ndjekë rekomandimet e komisionit. "Këtë gjë e bëjmë vend pas vendi dhe nuk ka rëndësi se ç‘emër ka vendi, por rëndësi ka se sa mirë ky vend është i aftë të përmbushë kushtet e vendosura në udhërrëfyes", nënvizoi Rehn. Komisioneri shpjegoi se procesi është në fazën e hartimit të raporteve të ekspertëve që vizituan vendet e Ballkanit. Më pas, këto raporte do të shqyrtohen edhe nga ekspertët e vendeve anëtare të BE-së dhe vetëm nga fundi i muajit qershor komisioni do të mund të shkruajë rekomandimin për përfshirjen e atyre vendeve që plotësojnë kushtet në listën e bardhë të Shengenit. Që nga ai moment deri në hyrjen në fuqi të amendamentit të ri dhe heqjen përfundimtare të vizave për qytetarët e vendeve më të përparuara, procesi merr gjashtë deri në tetë muaj kohë, por me vullnet të fortë politik nga ana e BE-së mund të realizohet edhe në fund të vitit 2009.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›