E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Berisha mbron ministrat e akuzuar

Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se ka ndërtuar një sistem kriminal, që u jep suport ministrave të akuzuar nga organet e drejtësisë. Nënkryetari i grupit kuvendor socialist, Erion Braçe, deklaroi se është vetë Kryeministri Sali Berisha, i cili pengon hetimet për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha, për ish-ministrin e Drejtësisë, Aldo Bumçi, dhe për ish-ministrin e Kulturës, Ylli Pango. Braçe përfshiu këtu edhe botuesin Fahri Balliu dhe biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazliç. Megjithatë, sipas numrit dy të grupit parlamentar socialist, në krye të piramidës së korrupsionit qëndron Kryeministri Berisha. "Ndërkombëtarët kritikojnë qeverinë për nivelin e lartë të korrupsionit, ndërkohë që në krye të piramidës është Kryeministri Berisha, i cili sulmon prokurorinë", u shpreh Braçe. Ai theksoi se "zbatimi i ligjit nuk është i njëjtë për të gjithë, tashmë shqiptarët e dinë këtë dhe do t‘i përgjigjen me votë. Deputeti socialist vlerësoi se në historinë 19-vjeçare të pluralizmit, vetëm kur drejton Berisha ka ndodhur që të humbin jetën njëherësh 26 persona dhe të plagosen me qindra të tjerë. Sipas tij, drejtësia nuk e ka thënë dot fjalën e vet për këtë përgjegjësi, sepse po pengohet. "Nuk ka ende një vendim të drejtësisë që Berisha është fajtor", tha Braçe. Opozita ka denoncuar shpesh aferat dhe skandalet qeveritare të këtyre viteve, megjithëse ajo është përqendruar si fillim tek ecuria e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës e më pas te tragjedia e Gërdecit. Për shkak të akuzave të opozitës dhe kërkesës së organit të akuzës, Parlamenti u detyrua që t‘i heqë imunitetin ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha. Çështja "Basha" u pushua disa ditë më parë nga Gjykata e Lartë. Kjo e fundit, nuk arriti të marrë në shqyrtim provat e organit të akuzës për shpërdorimet në rrugën Durrës-Kukës, pasi ajo doli në përfundimin se Prokuroria e Përgjithshme ka shkelur afatet hetimore. Një tjetër betejë është ajo e tragjedisë së Gërdecit. Opozita ka akuzuar Kryeministrin Berisha si fajtor direkt të kësaj tragjedie teksa drejtësia nuk e ka thënë ende fjalën e vet për këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›