PD: Premtimet e qeverisë lënë pa gjumë Ramën dhe Braçen
Partia Demokratike iu kundërpërgjigj dje deklaratave të socialistit Erion Braçe. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, ka rrëzuar poshtë pretendimet e deputetit Braçe se qeveria nuk i ka mbajtur premtimet. "Edi Rama nxori në tregun mediatik yllin shkëlqimtar të politikës së re, asistentin e Dondollakut me serialin e shpifjeve dhe trillimeve të denja për të", tha Mëhilli. Në emër të Partisë Demokratike, ajo shtoi se "me një tellall si Braçja, Edi Rama ka vetëm një qëllim, të zhurmojë vjedhjen e papërmbajtur të taksave të katërfishuara të gjelbërimit dhe pastrimit në Tiranë". Demokratët kujtuan anëtarësimin në NATO, dyfishimin e rrogave dhe pensioneve, përfundimin e MSA-së, dyfishimin e buxhetit për arsimin dhe numrit të studentëve, apo përfundimin e mijëra kilometrave rrugë, që janë disa nga dëshmitë e premtimeve të mbajtura të kësaj mazhorance. Zëdhënësja Mëhilli insistoi se premtimet e Berishës po tmerrojnë dhe lënë pa gjumë prej muajsh Ramën dhe Braçen e tij.