Meta : Hetimi parlamentar për Ramën? I pakuptimtë
Lëvizja Socialiste për Integrim u shpreh dje kundër ngritjes së një komisioni hetimor për veprimtarinë e kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. I pyetur nga mediat, nëse LSI-ja do të marrë pjesë në komisionin hetimor që pritet të ngrihet nga mazhoranca, kreu i kësaj partie, Ilir Meta, vuri në dukje se nuk është koha për komisione hetimore, të cilat nuk zgjidhin asgjë në një vend kur Parlamenti shkon drejt mbylljes dhe qytetarët përgatiten për të zgjedhur Parlamentin e ri. Gjatë fjalës së tij, Meta cilësoi si më të rëndësishme ecurinë e procesit zgjedhor se sa nismat që, sipas tij, nuk kanë asnjë vlerë. "Jemi në kohë për të shpëtuar reputacionin e Shqipërisë, jemi në kohë për të shpëtuar zgjedhjet dhe stabilitetin politik në vend. Ndaj komisionet hetimore janë krejtësisht të pakuptimta, sepse kanë mbetur vetëm pak javë që ky Parlament të zgjidhë çështjen e kartave dhe problemin e zgjedhjeve në Shqipëri", tha Meta. Ditët e fundit, mazhoranca ka bërë të ditur nismën për ngritjen e një komisioni hetimor kundër kryebashkiakut Edi Rama dhe objekt i të cilit do të jenë procedurat për dhënien e lejeve të ndërtimit. Ndërkohë, mazhoranca ka mbledhur firmat e nevojshme dhe pritet që në seancën e së enjtes të miratohet ngritja e këtij komisioni. Janë ndjekur procedurat e përshpejtuara, pasi edhe shumë pak seanca parlamentare i kanë mbetur kësaj legjislature.