E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaferri : Askush nuk e ndalon dot Kuvendin të hetojë

Partia Demokratike vazhdon me insistimin e saj se do t‘i shkojë deri në fund ngritjes së një komisioni hetimor për kryebashkiakun e Tiranës. Përgjigjja e prerë e deputetit demokrat, Ferdinand Xhaferri, për deklaratat e opozitës, ishte se "askush dhe asgjë nuk do ta frenojë hetimin e Edi Ramës për 19 lejet e mbledhjes së fundit të Këshilli të Rregullimit të Territorit të Tiranës".

Partia Demokratike deklarohet e vendosur t‘i shkojë deri në fund komisionit hetimor për kryesocialistin, që, sipas saj, është në përputhje të plotë me Kushtetutën. "Askush nuk mund të dalë mbi Kuvendin e Shqipërisë dhe askush nuk mund ta ndalojë Kuvendin e Shqipërisë për të ushtruar pushtetin e tij që buron nga vullneti i qytetarëve. Pra, Kuvendi i Shqipërisë, në zbatim të pushtetit të vet sovran do të hetojë si është zbatuar ligji për urbanistikën nga Edi Rama", tha sekretari i marrëdhënieve me publikun në PD, Ferdinand Xhaferri. Sipas tij, "Edi Rama, në konflikt interesi, në mënyrë monopoliste dhe klienteliste ka gllabëruar paratë e qytetarëve të Tiranës dhe nuk ka shpëtim. Kuvendi i Shqipërisë do të hetojë Edi Ramën". Pak ditë më parë, 40 deputetë të mazhorancës depozituan në Kuvend firmat për komisionin e dytë hetimor për kryebashkiakun e Tiranës. Partia Demokratike është në pritje të konferencës të kryetarëve për të përcaktuar edhe datën se kur do të nisë nga puna komisioni hetimor "Rama 2".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›