Kuvendi, 693 ligje për katër vite
Debatet për nismat ligjore dhe bashkëpunimi për disa nga çështjet më të rëndësishme duket se karakterizuan mandatin katërvjeçar të Parlamentit aktual. Aktiviteti politik i Kuvendit gjatë këtij mandati ka qenë i ngjeshur. Nga 2005 deri në prill të vitit 2009, deputetët janë mbledhur në 150 seanca parlamentare, duke miratuar gati 693 ligje, një pjesë e mirë e të cilëve janë miratuar pasi janë bërë konsulta edhe me grupet e interesit, praktikë kjo që është vlerësuar edhe nga ndërkombëtarët. Gjatë këtij mandati nuk kanë munguar edhe nismat parlamentare të formuluara në formë projektligjesh nga deputetët e Kuvendit. Një pjesë e tyre tashmë janë miratuar dhe bërë ligje, por disa të tjera nuk kanë pasur këtë fat dhe sot e kësaj dite qëndrojnë ende në tryezat e komisioneve parlamentare dhe të Kryetares së Kuvendit. Shkaku është mosfutja e tyre ende në rend të ditës, çka ka sjellë mosmiratimin. Këtë fat ka pasur projektligji i propozuar nga deputeti i Partisë Republikane, Arian Madhi, për një shtesë në Ligjin 7501 "Për tokën" apo edhe projektligji i paraqitur nga një grup deputetësh "për dëmshpërblimin e të dëmtuarave nga tragjedia e ndodhur ne Gërdec, Vorë". Një tjetër nismë deputetësh e paraqitur në formë projektligji "Për ndryshimin e statusit të deputetit" ka mbetur pa miratuar nga Kuvendi. Po kështu, të njëjtin fat kanë pasur gati 15 projektligje të depozituara nga qeveria, pjesa më e madhe e të cilave i përkasin fushës së ekonomisë. Kuvendi gjatë këtyre katër viteve ka miratuar më shumë se 15 rezoluta dhe ka realizuar më shumë se 40 interpelanca. Sakaq, në Kuvend nuk kanë munguar gjatë këtyre katër viteve edhe raportimet që bëhen nga institucionet shtetërore, të cilat janë në varësi të pushtetit legjislativ. Çdo vit, gati 14 institucione raportojnë për punën vjetore të tyre dhe presin në fund vlerësimet nga deputetët. Gjatë këtyre viteve ka pasur edhe momente të vështira të marrëdhënieve midis Parlamentit dhe institucioneve që zgjidhen prej tij, si në rastin e emërimit të gjykatësve, por amendimi me konsensus mes PD-së dhe PS-së i rregullores dha zgjidhje të kënaqshme për këtë rast. Gjatë këtij mandati katërvjeçar, Kuvendi ka debatuar shumë për disa çështje të rëndësishme, ku në disa raste tensioni politik ka shënuar kulmin. Element për t‘u theksuar është greva e urisë në sallën e Parlamentit nga një grup deputetësh të LSI-së, PDK-së dhe disa partive të tjera të vogla, të cilat nuk ishin dakord me ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Në momentin e ndryshimit të Kushtetutës për sistemin zgjedhor, dy partitë e mëdha vendosën të ndryshojnë edhe disa nene të tjera, që kishin të bënin me kufizimin e kompetencave të Presidentit, fuqizimin e Kryeministrit dhe kufizimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm.
Vështrimi
Çështjet më të debatuara
Kuvendi ka debatuar për disa çështje të ndryshme, siç ka qenë shkarkimi dhe emërimi i kryeprokurorit të ri, ndryshimi i Kushtetutës, reforma në drejtësi. Te kjo e fundit, pika më e debatueshme ka qenë ligji për prokurorinë, por kjo reformë ende ka mbetur pa u mbyllur. Një tjetër çështje ishte Kodi Zgjedhor, ligji i dosjeve dhe ligji për kufizimin e imunitetit të deputetëve, nismë që ende nuk është miratuar nga Kuvendi.
Vështrimi
Çështjet më të debatuara
Kuvendi ka debatuar për disa çështje të ndryshme, siç ka qenë shkarkimi dhe emërimi i kryeprokurorit të ri, ndryshimi i Kushtetutës, reforma në drejtësi. Te kjo e fundit, pika më e debatueshme ka qenë ligji për prokurorinë, por kjo reformë ende ka mbetur pa u mbyllur. Një tjetër çështje ishte Kodi Zgjedhor, ligji i dosjeve dhe ligji për kufizimin e imunitetit të deputetëve, nismë që ende nuk është miratuar nga Kuvendi.