"Rama 2", pse bie komisioni hetimor
Kushtetueshmëria e ngritjes së komisionit të ri hetimor për kryebashkiakun Edi Rama pritet që të shkaktojë një debat mes partive politike. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese i datës 14 maj 2003, fill pas ngritjes së komisionit të parë kundër Ramës, bën një interpretim mbi të drejtën e Kuvendit për të marrë një nismë të tillë. Kryebashkiaku Edi Rama mund të përballet për herë të dytë me një komision hetimor parlamentar, siç ka paralajmëruar zyrtarisht mazhoranca. Por, 32 deputetë të legjislaturës së shkuar i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të interpretojë pikën 2 të nenit 77 të Kushtetutës. Pas një analize të gjerë për të drejtën që ka një e katërta e anëtarëve të Parlamentit për të ngritur një nismë të tillë, Gjykata Kushtetuese ka analizuar në atë kohë, se "një hetim i iniciuar që nuk lidhet me qëllimet dhe që nuk i përket veprimtarisë së legjislativit, nuk konsiderohet në përputhje me parimet kushtetuese". Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë rënë dakord se "ky instrument i rëndësishëm nuk mund të përdoret në mënyrë abuzive dhe tej hapësirës kontrolluese që Kushtetuta i njeh Kuvendit. Prandaj, ushtrimi i këtij mjeti juridik kushtetues për ato çështje dhe në ato pushtete, ndërkohë që Parlamenti në aspektin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve mund ta ketë të pamundur ushtrimin e kontrollit, do ta dëmtonte këtë kompetencë kushtetuese". Paraprakisht, socialistët duket se do t‘i referohen pikërisht këtij vendimi për të konsideruar se Kuvendi nuk ka asnjë të drejtë për të ndërmarrë një nismë të tillë hetimore ndaj veprimtarisë së kryebashkiakut Rama. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, citoi dje këtë vendim të gjykatës për ta konsideruar si antikushtetuese nismën e demokratëve. "Kuvendi, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e ka të ndaluar të hetojë një kryetar bashkie. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e ndalon Kuvendin të hetojë ndaj pushtetit vendor, që është një pushtet i ndarë", tha Braçe. Neni 77, pika 2 e Kushtetutës, thotë se "Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë". 32 deputetët, gjashtë vite më parë, kanë kërkuar ndihmën e Kushtetueses për të kuptuar se çfarë përcakton "çështje e veçantë". Anëtarët e atëhershëm të Kushtetueses kanë dalë në përfundimin se ekziston ndarja e pushtetit. Kuvendi është një kontrollues i mirë i legjislativit, ndërsa "ekzistojnë forma të ndryshme ndërveprimi dhe bashkëpunimi në marrëdhëniet ndërmjet pushtetit legjislativ dhe pushtetit ekzekutiv, sikundër është e pranueshme që ekzistojnë fusha ku kompetencat e autoriteteve të ndryshme mund të ndërthuren apo përputhen. Në këtë kuptim, objekt hetimi janë vetëm çështjet që përfshihen në veprimtarinë kontrolluese të Parlamentit, të cilat nuk sjellin konfondime dhe transferime kompetencash të parashikuara nga Kushtetuta".